Kryeministri Edi Rama ka inspektuar dje punimet që po zhvillohen në Laç, Fushë Krujë dhe në Thumanë për rindërtimin e banesave të prekura nga tërmeti.
Sa i takon inspektimeve në Laç, Rama tha se në bllokun e parë të rindërtimit të lagjes, për disa ditë do të jetë gati sheshi 4 hektarë.
Sipas tij, me këtë pjesë po merret Turqia. Kurse në bllokun e dytë ka nisur prishja e 23 godinave, ku do të ndërtohet edhe spitali i ri i cili për 2 javë përfundon procedurat.
“Gati për pak ditë sheshi 4 hektarë për bllokun e parë (1/1) të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit dhe gjithë procedurave të prishjeve e të shpronësimeve gjithashtu, të cilat janë kryer me rigorozitet të plotë për të përmbushur çdo detyrim ligjor ndaj pronarëve dhe për të mundësuar zhvillimin e integruar të gjysmës së lagjes së re të qytetit.
Për këtë pjesë po angazhohet Agjencia e Strehimit të Republikës së Turqisë. Kanë nisur prishjet e 23 godinave të tjera në bllokun e dytë (2/2) që është gjysma tjetër e lagjes së re, e cila ndahet nga rruga kryesore, e ku do të ndërtohet edhe Spitali i Ri për të cilin Ministria e Shëndetësisë po pret përfundimin e garës. Ky bllok do të ndërtohet me fondet e qeverisë shqiptare”, tha Rama.
Po dje, kryeministri ka kryer inspektime në Thumanë ku bëri me dije se për shkak se është tokë ish- kënetore, po hidhet bazamenti i infrastrukturës pas mbushjes me gurë dhe gjeotekstile të sipërfaqes. “Në zemrën e tragjedisë së 26 nëntorit të shkuar, ku po hidhet bazamenti i infrastrukturës, pas një mbushjeje masive me gurë dhe gjeotekstil të sipërfaqes, për të garantuar qëndrueshmërinë absolute të lagjes së re mbi tokën ish-kënetore, e ku së shpejti do të nisë ndërtimi i shtëpive, pallateve, shkollës së re, kopshtit e çerdhes, së bashku me një qendër komunitare shërbimesh publike e argëtimi familjar si edhe zonën sportive.
Thumana e Re do të ketë edhe një kënd të kujtesës, që do t’u përcjellë brezave mesazhin e fuqisë së solidaritetit shoqëror, për t’u ri ngritur më të mirë e më të fortë, pas çdo humbjeje e dhimbjeje”, tha i. Destinacioni tjetër ishte Fushë-Kruja. Rama bën me dije se 45% e punës së infrastrukturës rrugore dhe nëntokësore në këtë lagje ka përfunduar.
Nga ana tjetër ministri Ahmetaj shtoi se për 4-5 javë në këtë lagje fillojnë dhe ndërtimet e banesave individuale. “Kanë punuar holandezët me grupin shqiptar. Ajo që në fillim kur ra tërmeti, çoi mesazhe tha jam e gatshme të kontribuoj pa asnjë kërkesë. Shih si është, krejt botë tjetër. Këto të tjerat janë godina të përbashkëta. Shumë e rëndësishme të nënvizohet se ka qenë më e shpejtë pasi nuk kemi pasur probleme me prona private në mes. Këto na kanë zgjatur procesin në Laç, Thumanë e Bubq”, tha Rama.