Kryeministri Edi Rama ka mohuar zërat për një pakt mes tij dhe presidentit Ilir Meta. Parlamenti votoi dje kundër shkarkimit të presidentit, por për kryeministrin mazhoranca po zbaton opinionin e Venecias dhe jo se ka ndryshuar qëndrim mbi shkeljet e kreut të shtetit.
Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Rama u shpreh se shpreson që presidenti Meta të mos vijojë më me shkeljet kushtetuese dhe vandalizma, por të respektojë Kushtetutën dhe nenet që janë shkruar aty.
“Ilir Meta meriton të shkarkohet sipas këndvështrimit tonë, por nëse kemi këtë rekomandim nga Venecia dhe kemi shkuar tek Venecia dhe e kemi vlerësuar gjithmonë Venecian si një këshilltar të mirë, të urtë dhe të distancuar, atëherë ne i nënshtrohemi kësaj.
E rëndësishme është se çfarë vjen të mos sjellë të reja nga fronti i shkeljeve dhe i vandalizmave antikushtetues në zyrën e Presidentit. Prandaj, ligjin organik për Presidentin dhe të gjitha ndërhyrjet e tjera të nevojshme, që në rast se presidentit i qëllon ta ketë hënën mbrapsht në një kohë kur popullit shqiptar i duhet të shkojë në zgjedhje dhe bën përsëri çudira të tilla që ne as që na shkojnë në mendje, sepse nuk i kanë shkuar në mendje atyre që kanë shkruar Kushtetutën – është e shkruar aty dhe mbaron”, tha Rama.
Rama: Meta po nxit konflikt
Më tej, Kryeministri akuzoi Metën se po e përdor institucionin e Presidencës për të bërë politikë partiake dhe sipas tij edhe për të nxitur dhe ushqyer konflikt. Por Rama nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit mes tij dhe Presidentit, vetëm për të mirën e vendit dhe të qytetarëve.
“Të gjitha këto duhen adresuar në një paketë që ky Parlament duhet të marrë përsipër ta votojë, jo për Ilir Metën, por për institucionin e Presidentit, i cili sot është kapur për fyti dhe përdoret si një instrument për të bërë politikë partiake, për të marrë pozicione partiake, për të goditur për qëllime partiake, për të nxitur konflikt dhe për të ushqyer konflikt.
Sigurisht që, as nuk diskutohet që secili mban përgjegjësi për atë që bën vetë dhe ne mbajmë përgjegjësi për atë që bëjmë ne. Prandaj, pavarësisht që ne kemi një President me hënë, sa herë që hëna rrotullohet në anën e duhur dhe ai ka vullnetin për të qenë bashkëpunues, – siç ndodhi në periudhën e parë të përballjes me Covidin, – ne jemi në dispozicion nuk diskutohet. Sepse nuk jemi në dispozicion të Ilir Metës si person, ne jemi në dispozicion të vendit dhe të njerëzve”, tha Rama.
Votimi i 30 korrikut
Më tej kryeministri Rama foli edhe për ndryshimet kushtetuese që do të votohen në 30 korrik. Për këtë, Kryeministri tha se Meta nuk ka tagër që të ndërhyjë në vendimet e Parlamentit, duke theksuar se datën që do të marrë shumicën e votave, Meta duhet t’i nënshtrohet vullnetit të popullit për hapjen e listave. “30 korriku, Kushtetuta e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë.
Presidenti nuk ka asnjë të drejtë mbi vendimin e Parlamentit për ndryshimin e Kushtetutës. Nuk ka fare! Nuk është si me vendimet e tjera. Nuk i kërkohet fare të ketë një opinion. Thjesht duhet ta pranojë, siç do ta pranojnë të gjithë dhe siç e pranuat dhe ju Korab së bashku me Myslymin në atë kohë kur thoshit, ne nuk do ta njohim këtë Kushtetutë në ‘98, por jo vetëm e njohët, por edhe ju nënshtruat.
Kështu do ta njohin dhe kështu do t’i nënshtrohen edhe ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut që të gjithë. Ju jeni në një proces reformimi të brendshëm që do ta çoni deri në fund. E për ta çuar deri në fund Korab, mos e kujto me nostalgji partinë e vjetër. Të renë bëje që të mos i ngjajë fare të vjetrës. Përpiqu! Me Ilir Metën pastaj është puna jote”, tha Rama.