Nga Idajet Beqiri
Reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi, janë dy prej elementeve më të rëndësishëm për të futur Shqipërinë në rrugën e normalitetit, me një shtet ligjor dinjitoz, përkrah 27 shteteve të tjera të BE.
Reforma në drejtësi nga pikëpamja ligjore dhe institucionale është futur në shinat e duhura me pikëpjekje “stacionin” e Brukselit. Ndërsa reforma zgjedhore, ajo që do ta bëjë Shqipërinë me një klasë politike të ndershme, të pa korruptuar, të aftë, të përkushtuar deri në sakrifikim të vetvetes për interesat e vendit dhe të popullit, është futur në “stërkëmbëshat” e politikës regresive, i është zënë fryma prej kësaj klase politike mbi 25 vjeçare dhe, megjithëse me shpirt nëpër dhëmbë, nuk po lëshojnë asnjë centimetër terren nga statu quo-ja e mbrapshtë e pengmarrjes së vendit.
Të dyja forcat kryesore politike e ruajnë me fanatizëm “republikën kryeministrore” të kryetarit të Partisë, të cilën e miratuan me përdhosjen e rëndë që i bënë Kushtetutës së Republikës atë natë të zezë të vitit 2008. Këshilli Politik është “shpikje” e maskarenjve, të cilët e duan Shqipërinë një komunitet primitiv, i cili të mos sundohet nga Kushtetuta dhe ligjet që dalin në zbatim të saj, nga institucionet e një shteti kushtetues, por nga tre katër kryetar të Tribuve, të cilët mendojnë vetëm si të bëjnë “rrotacionin” e tipit “hiqja Lenës, varja Prenës” në çdo 8 vjet…
Dhe fati ynë i zi na ka qëlluar që “Prena” vjen për të bërë tokën e djegur, për të shkatërruar, për të grabitur, për të kthyer te injoranca, paaftësia dhe ligësia e saj, gjithë gjërat progresiste që bënë “Lena”! Kështu bëri Sali Berisha, pas Fatos Nanos në vitet 2005-2013, kështu po bëhet gati për të marrë “tavën e pilafit”, pa asnjë meritë, por me “rrotacion”, Lulëzim Basha, i cili të vetmen alternativë që u afron shqiptarëve është “si e bëra Tiranën hale për 4 vjet kryetar bashkie, kështu dua ta bëj Shqipërinë si kryeministër rrotacioni”!
Kështu që nisur nga fakti se “kur nuk e ke pulën, ha sorrën”, ne e shikojmë si një nismë në drejtimin e duhur përpjekjet e shoqërisë së vobektë civile dhe të opozitës parlamentare për të dalë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2021 me lista të hapura, si dhe për të mos pasur koalicione parazgjedhore. Koalicionet të jenë rrjedhojë logjike e vullnetit të popullit, e vlerësimit me votë të secilës Parti politike, dhe pasi të dalin rezultatet e votimit, të bëhen koalicionet pas zgjedhore.
Nëse bëhen këto ndryshime kushtetuese, do të krijoheshin premisat që, pas zgjedhjeve të Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2021, të nisnim punën serioze për bërjen e një reforme të thellë zgjedhore, e cila të ishte e atillë që përfundimisht të shpëtonte Shqipërinë dhe shqiptarët nga llumi politik 30 vjeçar.