Nga Anri Bala
Megjithëse zgjedhjet janë pak larg, opozita e rrugës ka filluar tu bjerë tam-tameve dhe borijeve të fitores së ëndërruar. Natyrisht, ëndrrat janë falas dhe askush nuk të ndalon që të gëzohesh, se një ditë edhe ëndrra, mund të bëhet realitet.
Por, largqoftë, rrezikon të zhgënjehesh e ta pësosh kur ëndërrën e quan “fakt”. Sepse faktin e ka në dorë populli dhe ai, o ta fut o ta nxjerr, ose të nxjerr nga shtrati që ke kaq vite që fle, me të njëjtën ninull: Do fitojmë me koalicion, rotacionin nuk e ndalon askush… oioioi.
Koalicioni juaj, i mundur apo i pa mundër, duket një abstraksion, që askush nuk mund t’ia kuptoi formën, ngjyrën, idetë, përveçse qëllimin… kthimin me paderman në pushtet dhe riciklimin e maskarenjëve që populli i ka larguar edhe dhunshëm nga pushteti, si në vitet 1997! Këtu ëndrra është vetëm ëndërr e keqe, sepse në 2021, koalicioni është një fantazëm me dordolec, që kanë vetëm kryetar, me një vulë në dorë, që do bënin mirë t’ia vinin në ballë njëri tjetri, si shenjë dashurie në kohë urrejtjeje ndaj Edi Ramës.
Anëtarët e LZHK së Dashit dhe anëtarët republikan të Mediut, duhet të shpallen në kërkim nga policia nëse ekzistojnë, sepse do na sjellin çudinë… monarko-republikën. Dulistët e Omonias puthen e përqafohen çdo ditë me Çamët e Shpëtos së drizave dhe ferrave, sepse dashurohen aq shumë me njëri tjetrin, në emër të urrejtjes ndaj Edi Ramës, aq sa kafshohen e bëhen gjak… duke u puthur e menderosur idealin e të gjithë atyre që përfaqësojnë, sepse në fund të fundit, ideali është një nocion.
Por, më i madhi dhe i veçanti është Luli, që bën sikur e ka harruar, se sa i ka urryer Monikën dhe Metën, si familje mafioze, që “flinte” në shtratin e pushtetit të Ramës dhe sot të merr “gjak në vetull, sepse i dashuron aq shumë, sa që do bëj revolucion, nëse ia ndalojnë të flejnë në një shtrat pa u martuar dhe nga çiftëzimi i tyre do lind partia antikapitaliste, që do u “marri pronat oligarkëve” dhe do t’ia kthej popullit.
Edhe Maduro, nuk do guxonte ta thoshte e jo më ta bënte realiitet, por Luli Basha e thotë, sepse në atë derexhe që e ka katandisur PD-në, ku kau do çiftohet me pelën dhe mushkat duhet të ngelin me barrë, ai qyqar nuk e kupton, se çfarë grupimi politik përfaqëson.
Për shumë njerëz me mend në kokë, ata dhe opozita rrugore, nuk janë gjë tjetër veçse një tufë endacakësh, që kanë humbur gjithçka dhe gënjehen me fjalën e të urtit popull: Bashkimi bënë fuqi, urrejtja të shton verbërinë!
Ndaj, “de fakto” me koalicion pa koalicion, nuk realizohet kurrë ëndrra rotacion. Rotacionin e bënë sovrani, që ka në dorë votën dhe nuk vjen kurrë prej atyre që kanë në dorë vetëm… rrotën.
E meritoni një këshill falas e katunarçe ju qytetarë nga qytezat e politikës: Mos u trembni e mos u qurravitni, sepse tek e fundit, sipas jush, po luftoni me një “njeri të trembur”, që po ikën dhe përderisa jeni aq të sigurtë… lëreni të ik.
Mos e lodhni veten duke e ndjekur nga pas, sepse kur të zgjoheni do u ketë lënë rrugëve dhe atëherë do e kuptoni, se sa të mbaruar jeni… as të ëndërroni nuk dini. Ndërsa është në të mirën tuaj, që të mos gënjeheni me turmat e tipit molotovar, lular dhe monar, duke i quajtur “popull demokrat”, siç i quan kryeopozitari i presidencës.
Pjesa më e madhe e hallexhinjve, që keni 7 vjet që talleni me ta, kanë humbur shpresën dhe mund t’i gënjeni lehtë… por mos harroni, se nuk e kanë humbur akoma dinjitetin dhe ndoshta kur të kthejnë kokën nga dera e shtëpisë dhe fëmijët e tyre, t’i krahasojnë me fëmijët e vilave dhe sarajeve tuaja… do ju bien të fikët, do pendohen dhe do trishtohen, kur në xhepin e tyre, nuk do të gjejnë as qindarka për autobuz, për tu kthyer në shtëpi.
Ndaj, rotacionin nuk e bën kuplaraja koalicion, por njerëzit që dinë të ndezin shpresën, besimin, e të na bëjnë të ëndërrojmë, se do jetojmë më në fund si njerëz. Ju de fakto, keni dalë me kohë në rrugë dhe nuk ka zot, ligj e reformë që ju rehabiliton, por kjo vlen edhe për të tjerët, që për 30 vite e nxorrën Shqipërinë në rrugë të madhe dhe as që po “ia u ndjen”. E nëse në këtë vend do të bëhet ndonjëherë drejtësi, për të gjithë ju ka filluar gara: “Këmbët e shpejta faqja e bardhë… drejt Reçit”!/Ekskluzive.al