Nga Adriatik Doçi
Shkëlzeni bëhet pronar i Gërdecit që përcëlloi babi, me një letër bakalli, ku gjoja ka marrë një kredi 1.8 milionë euro. Fillimisht blen pronën, më pas merr kredinë për të blerë pronën, të cilën e lë kolateral për gjoja kredinë.
Mes rreshtave blen edhe ca makineri boronicash 2.4 miliardë lekë (të vjetra). Marifetin e kamuflon me një kompani që ka një punëtor. Më parë seç ka blerë një makinë 85 mijë euro dhe një apartament tek ETC 346 mijë euro me punën e nderuar si sekser.
Dhëndri zëhollë Jamarbër Malltezi bëhet pronar i 6.3 metra tokë në Tiranë, si një nga 48 trashëgimtarët. Dhe kështu dhëndri bëhet pronar i 17 pallateve në Tiranë, me sipërfaqe ndërtimi 28.000 metra, tek ish-kompleksi Partizani, me vlerë mbi 20 milionë euro, me 35 %.
Monika merr një kredi 40 mijë euro. Blen ca tokë në Laprakë dhe bën një pallat me burrin e Gentiana Sulës. Nga pallati shet 8 apartamente me vlerë 1 milionë euro.
Tre dyqane të pallatit i ndërron me vilën në Gjirin e Lalëzit, e cila besohet se ka vlerë sa disa pallate. Blen një vilë në Golem 60 mijë USD, të cilën e shet pas 3 vitesh 300 mijë euro. Shton edhe 100 mijë euro gjoja kredi dhe blen apartament në Tiranë 400 mijë euro.
Gjin Gjoni ishte pa lekë dhe i pastrehë. Elona Çaushin e mbante babi ambasador me para. Elona ‘dashurohet’ me gjermanin Werner Mehlber, me të cilin martohet. Themelojnë kompaninë ADFD dhe investojnë në Shqipëri. Marrin ambientet Duty Free në Rinas.
Krijojnë edhe kompani të tjera, por të gjitha dalin me humbje. Një ditë Elona Çaushi takohet me Gjin Gjonin dhe ‘dashurohen’. Përzënë gjermanin dhe i marrin biznesin.
Tani biznesi lulëzon. Në një vit blejnë shtëpi 530 milionë lekë të vjetra, rezidencë 700 mijë euro, dyqan 150 mijë euro, ndërsa Elona fiton 420 mijë euro (brenda një viti). Sipas ILDKPKI pastrojnë 2 milionë euro para të pista duke i investuar në pasuri të palujtshme. Në 2020 përzënë edhe amerikanët nga Rinasi.
Lulzim Basha nuk tregon nëse e ka blerë, banon me qira apo ja kanë falë vilën në “Long Hill”. Nuk tregon se në ç’rrethana përdor sot benzin e Artan Santos.