Mazhoranca duket se është e pafuqishme përballë presidentit Ilir Meta. Edhe pse për një vit rresht u deklarua se ai do të shkarkohet sepse nuk e meriton të jetë në atë zyrë, Meta do të vijojë të jetë president deri në vitin 2020. Pasi anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, PS vendosi të shkarkojë Metën duke ngritur një Komision Hetimor, i cili pas shumë zvarritjesh dje ka bërë publike konkluzionet dhe socialistët nuk do e shkarkojnë Metën.
Dje gazeta e deklaroi se Rama e dha sinjalin e parë, ndërsa komisioni e vulosi se do të dilet me një raport ku presidentit do i jepen disa këshilla si të veprojë dhe po ashtu do të kërkohet që të ketë ndryshime ligjore. Dje paradite u mblodh Komisioni Hetimor ku u prezantuan raportet paraprake të mazhorancës dhe opozitës.
Socialistët kërkojnë që të mos ketë shkarkim të presidentit, por vetëm disa sugjerime, ndërsa opozita kërkon shkarkim. Relatorja socialiste Klotilda Bushka u shpreh se presidenti ka kryer shkelje, por nuk janë të natyrës për ta shkarkuar. “Nisur nga provat dhe natyra e Komisionit Hetimor që është teknik dhe jo politike, jemi fokusuar te analiza e provave dhe rezultuan disa shkelje si në kuadër të ushtrimit të kompetencave për shkeljet, por edhe emërimet në Kushtetuese, që analizohen në raport.
Këto shkelje referuar rrethanave dhe pasojave dhe fakti që komisioni nuk mund të shprehet se janë ekskluzivitet i gjykatave, janë shkelje që kanë natyrë që diktojnë marrjen e masave të menjëhershme për plotësimin e aktit kushtetues për evitimin e situatave bllokuese, por nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar shkarkimin e Presidentit”, tha ajo.
Sinjalet janë se palët po shkojnë te pazaret, ose PS i trembet Metës. Presidenti kërcënoi me shpërndarje Parlamenti dhe socialistët duket se u strukën. Fakti është se Meta e ka shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën. Anuloi një datë zgjedhjesh dhe këtë kompetencë nuk ja njeh Kushtetuta. Kjo theksohet dhe në raport. Por për socialistët presidenti duhet të rrijë në detyrë dhe thjesht do i bëhet vërejtje që të mos e përsërisë gabimin.
Meta i shpëton burgut
Heqja dorë nga shkarkimi duket se është dhe një shpëtim burgu për Metën. Me shkeljet që ka kryer presidenti, Gjykata Kushtetues mund ta shkarkonte përfundimisht dhe Meta do të ishte pa imunitet. Aktualisht ligji nuk lejon asnjë hetim ndaj presidentit, veç rasteve flagrante. Pra deri në 2022 Meta nuk mund të hetohet edhe pse i ka dosjet e hapura. Në SPAK ka një padi ndaj tij për aferën CEZ-DIA. Po ashtu kemi një president me pasuri shumë të lartë, mirëpo prokuroria i ka duart e lidhura.
Nëse ai do ishte shkarkuar, atëherë shanset që të niste hetimi do ishte shumë i madh. Meta është personi i bllokut 700 mijë euro. Nuk duhet harruar se Ardian Dvorani pak ditë më parë deklaroi se ka pasur shkelje flagrante me gjykimin e videos Meta-Prifti. Pra me këtë dhuratë, PS e shpëtoi presidentin nga burgu. Dyshimet janë se palët po arrijnë pazaret për emërimet në drejtësi. Edhe pse SHBA kërkon që të kemi drejtësi të pavarur, PS dhe Presidenti duket se po synojnë të emërojnë të besuarit e tij në Kushtetuese.
Meta ka dy vakanca dhe ajo që bie në sy është se mes emrave që kandidojnë janë dhe disa të skualifikuar. Mund të përmendet Zhaklin Peto, e cila u skualifikua dhe Meta dërgoi një letër ankese në KED. S’është çudi që me emërimin e Tushës në krye të KED ajo të kualifikohet dhe të shkojë te Meta. Po ashtu ka dhe shumë emra të tjerë. Nga ana tjetër Kuvendi ka dhe një vakancë ku do futen të besuarit e tyre. Ndërkohë e njëjta gjë vlen dhe për Gjykatën e Lartë. Emrat duhet të kalojnë më parë nga presidenti për dekretim dhe bie aromë pazaresh. Që pas emërimit të kreut të KLSH u dhanë sinjale se palët e kishin gjetur konsensusin dhe dje u faktua.
Nuk është çudi që Meta të kalojë dhe ligjin për amnistinë fiskale, i cili do u mundësojë Metës dhe shumë të tjerëve që të ligjërojnë pasuritë. Por tërheqja nga shkarkimi duket se ishte një shuplakë e fortë e presidentit përballë PS. Meta e zbythi mazhorancën kur tentoi t’i rrudhte kompetencat. Tubimi i 2 marsit bëri që PS të tërhiqej dhe ta lërë Metën të paprekur. Po ashtu kemi një tërheqje dhe me ndryshimet kushtetuese. Meta dje kërkoi që të mblidhet Këshilli Politik dhe Rama ju bind. Pra duket qartë se presidenti po korr teren përballë socialistëve.
Konkluzionet e raportit
PS ka përdorur si argument kryesor raportet e Venecias për tërheqjen nga shkarkimi. Sipas socialistëve, nuk kemi të bëjmë me shkelje të rënda nga ana e kreut të shtetit. “Bazuar te faktorët e shprehur nga Venecia, Komisioni Hetimor çmon që të japë rekomandime për situatat bllokuese dhe duhen nxitur institucionet për të forcuar bashkëpunimin. Në lidhje me këtë set të shkeljeve, ajo që Komisioni Hetimor, që do të vendosim bashkarisht që rezulton nga gjetjet, është e qartë se kemi shkelje si për zgjedhjet e 30 qershorit ashtu edhe për emërimet e gjyqtarëve të Kushtetueses. Do i përmbledh edhe njëherë:
Në lidhje me zgjedhjet, kompetencat nuk e parashikojnë të drejtën e tij për t’i anuluar dhe këto janë cilësuar shkelje, argumenti i sigurisë kombëtare po ashtu konsiderohen të pajustifikuara. Ndërhyri në të drejtën e qytetarëve, u shkel periudha e zgjedhjeve, por pasojat nuk janë të tilla”, tha dje relatorja. Opozita nga ana e saj e kundërshtoi qëndrimin e socialistëve. /Kliti Topalli