Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se teatri do të nis ndërtimin në vjeshtë dhe se toka e tij nuk do të cenohet asnjë centimetër.
Në lidhje me ndërtimin e kullave në Tiranë, Veliaj u shpreh se duhet parë si një mundësi punësimi dhe jo favorizim i oligarkëve pasi atyre ua ka 10-fishuar taksat.
Përballimi i pandemisë dhe dezinfektimi i institucioneve dhe rrugëve të qytetit, për kreun e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tashmë është kthyer në një rutinë krahasuar me ditët e para ku ende nuk dihej se si mund të vepronin. I ftuar në emisionin “Pa Protokoll” në Report Tv, Veliaj tha se ka bërë gjithçka që qytetit të mos i mungojë asgjë, madje edhe duke ndryshuar buxhetin dhe shtyrë disa investime në rrugë për vitin tjetër pikërisht që të mund të përmbusheshin kërkesat në lidhje me COVID-19.
Veliaj foli edhe për teatrin ku tha se ndërtimi i tij nis në shtator dhe për dy vite do të jetë gati. Nëse do të ketë kulla apo jo në të, Velaj u shpreh qartë se tokës së teatrit nuk do i preket asnjë centimetër, ndërsa në lidhje me kullat në kryeqytet duhen parë si mundësi punësimi për qytetarët. Sa për akuzat se opozitës se po favorizon oligarkët, kryebashkiaku u shpreh se ka ndodhur krejt e kundërta pasi ai ‘i ka luajtur fenë’ duke iu rritur me 10 fish taksat.
Në lidhje me bilancin e punës së bërë deri tani në krye të bashkisë, Veliaj tha se ka rritur me 50 % numrin e autobusëve duke shtuar vetëm 10 lekë në çmimin e biletës, ndërsa sot 62 % e Tiranë ka 24 orë ujë. ‘Kur unë mora bashkinë nuk kishte asnjë zonë me 24 orë ujë”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu ai theksoi edhe se shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit 2019 janë rikonstruktuar thuajse të gjitha dhe se puna po vijon me banesat e dëmtuara nga tërmeti tragjik i nëntorit. Për zgjedhjet e 2021, Veliaj shprehu bindjen e se PS është fituese, falë mirëmenaxhimit të Ramës në lidhje me situatën e krijuar nga tërmeti.