Smartphonë-t e të ardhmes mund të komandohen në distancë, pa i prekur fare me dorë. Teknologjia e re touchless, kujton shumë filmin “Minority Report” të Steven Spielberg-ut, në të cilin Tom Cruise komandonte kompjuterin vetëm duke luajtur në ajër duart. Lajmi që tregon për projektin ambicioz të inxhinierëve të Apple, u bë i njohur për publikun nga televizioni amerikan “Bloomberg” i cili ka treguar gjithashtu dhe një mundësi të ekraneve të harkuar Apple.
Vlen të theksohet që edhe tani kjo kompani në konkurrencë me Samsung-un, përdor një teknologji touchless për disa funksione të produkteve të saj. Fjala vjen psh: njohja e fytyrës të ndihmon të zhbllokosh telefonin, ndërsa Samsung vjen me funksionin “air gestures” i cili të lejon të shfletosh faqet web apo t’i përgjigjesh një telefonate.
Në të dyja rastet është e pamundur që të funksionojnë pa kontakt fizik nga përdoruesi, por kjo vlen për pak kohë. Sipas Bloomberg, ndërmarrja e Cupertino-s ka ndërmend të zhvillojë këtë teknologji për të shtuar fushën e ndërveprimit të përdoruesit me smartphonin e tij pa e prekur fare atë.
Edhe ekrani do pësojë ndryshime, ai do jetë i lakuar nga lart-poshtë, në ndryshim nga Samsung, i cili i ka të harkuar anash tek disa celularë. Sipas të njëjtit burim, bëhet fjalë që këto ndryshime do vijnë pak a shumë në harkun kohor brenda tre viteve, kur do jetë prezent në mbarë botën dhe teknologjia 5G.