Kryeministri Edi Rama ka reaguar në përfundim të protestës së bizneseve të vogla, që mbyllën qepenat në shenjë proteste kundër taksave. Sipas Ramës kjo është tallja më e madhe, që politikanët po bëjnë me njerëzit.
“Protesta e uljes së qepenave në tregjet bashkiake tallje e madhe me njerëzit nga politikanët pa atdhe!Sepse tregjet JANE JASHTE SKEMES së TVSH!Ne bëmë ZERO taksën e Biznesit të Vogël dhe futja në TVSH e të vegjëlve nuk rrit aspak barrën mbi ta po siguron kontrollin e të mëdhenjve”, shkruan Rama.
Mbyllja provizore e dyqaneve ka ardhur në shenjë proteste nga ana e bizneseve të vogla për të gjitha taksat e rritura në Shqipëri. Biznesi është në të drejtën e vet që të protestojë, madje dhe të bojkotojë zhvillimin e aktivitetit për një kohë të pacaktuar, vetëm e vetëm që të detyrojë qeverinë që të plotësojë kërkesat e tyre.
Por ditën e sotme u vu re një fenomen i pandodhur në Shqipëri ndonjëherë. Teksa opozita deklaroi një ditë më parë se do të jetë në mbështetje të protestës së biznesve, askush nuk e mendonte zhvillimin e papritur të ngjarjeve që rrodhën sot. Bizneset e vogla nuk kanë pranuar përzierjen e politikës, pra opozitës, në protestën e tyre njëorëshe.