4 muaj pas pezullimit të punës, nesër do të rinisë normalisht transporti publik në Tiranë. Mungesa e transportit urban në veçanti ka penalizuar shumë qytetarë që janë detyruar të ecin në këmbë për orë të tëra, për të shkuar në punë, apo për të kryer aktivitete të tjera të jetës së përditshme.
Hapja e transportit publik vjen në një kohë kur janë shtuar së tepërmi rastet me Covid-19 në Shqipëri, ndërkohë që janë të përditshme edhe humbjet e jetëve. Kësisoj, në protokollin e sigurisë janë paracaktuar një sërë masash në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19.
Çdo përdorues i transportit publik qytetas/rrethqytetas është i detyruar të përdorë maska gjatë udhëtimit me autobus, si dhe këshillohen të mbajnë një distancë sigurie.
Ndërkaq, në stacionet e qëndrimit udhëtarët janë të detyruar të përdorin maska gjatë pritjes së autobusit ndërsa personeli i transportit publik qytetas/rrethqytetas (shoferë, faturino, kontrollorë) do të jenë të detyruar të përdorin maska.
Sakaq bëhet me dije se abonetë e muajit mars s’do të jenë më të vlefshme, kurse muaji korrik do të jetë pa abone por me biletë. Shpërndarja e aboneve do të rinisë në muajin gusht.