Rikthehet debati për shkarkimin e Ardian Dvoranit nga Gjykata e Lartë. Pas gati 20 ditësh vonesë, dje Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zbardhur vendimin për ish-kreun e KED, duke dhënë argumentet se përse atij i ka mbaruar mandati dhe tani duhet të emërohet në një Gjykatë Apeli.
Argumenti i parë që jep KLGJ është se me emërimin e 3 anëtarëve nga radhët e juristëve të spikatur, automatikisht Dvoranit i mbaron e drejta e qëndrimit në detyrë, duke qenë se atij i ka mbaruar mandati prej vitesh. “Referuar procedurave të organizuara për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, duke qenë se plotësimi i pozicionit të lirë që ju mbanit është përfshirë në tre procedurat e para, finalizimi i tyre përmes emërimit dhe fillimit të detyrës së tre gjyqtarëve të rinj, bën që pasardhësi juaj të konsiderohet i emëruar.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësoi se asnjë nga gjyqtarët e rinj të Gjykatës së Lartë nuk ju zëvendëson nominalisht, pasi secili prej tyre është emëruar për një mandat të plotë kushtetues 9-vjeçar. Por, nga ana tjetër, emërimi dhe fillimi i ushtrimit të detyrës nga tre gjyqtarët e rinj, në situatën e mospasjes edhe të një pozicioni tjetër të lirë të mëvonshëm në këtë gjykatë që duhet të plotësohet nga radhët e juristëve të spikatur, pa asnjë mëdyshje ka çuar në përfundimin e detyrimit tuaj për qëndrimin në detyrë”, thuhet në vendim.
Një tjetër pikë që ka përplasur anëtarët në mbledhje, por dhe që u ngrit si çështje nga Dvorani është ajo nëse KLGJ ka kompetencë apo jo në shqyrtimin e kësaj çështje. Sipas vendimit, KLGJ ka të drejtë të marrë këtë vendim. “Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësoi se është në kompetencën e tij trajtimi i çdo situate në lidhje me pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, përfshirë dhe të Gjykatës së Lartë, sikundër edhe me zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve edhe të kësaj gjykate, duke patur ai juridiksion të plotë për çështje të kësaj natyre.
Mbi këtë bazë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi vuri në diskutim, duke marrë edhe qëndrimin tuaj, arriti në përfundimin se, pas emërimit dhe fillimit të ushtrimit të detyrës të tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, për ju ka mbaruar detyrimi kushtetues për të qëndruar në detyrën e gjyqtarit në këtë gjykatë”, theksohet më tej.
Debatet
Më tej në vendimin e zbardhur thuhet se krijimi i mëvonshëm, pra pas fillimit të tre procedurave të para për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, edhe të një pozicioni tjetër të lirë, de facto dhe de jure pozicioni i fundit që mund të plotësohet nga kjo kategori, vlerësuar sipas parimit të funksionalitetit, është një rrethanë që mund të ngrejë diskutime për vazhdimin e qëndrimit tuaj në detyrë deri në emërimin e gjyqtarit që plotëson këtë pozicion.
“Në fakt, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësoi se prania e gjyqtarit të katërt në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, në kushtet aktuale, pra kur në këtë gjykatë nuk ka gjyqtarë të tjerë përveç tre gjyqtarëve të rinj të sipërpërmendur nga radhët e juristëve të spikatur, nuk sjell dhe as garanton funksionimin normal të kësaj gjykate në lidhje me gjykimin e çështjeve në trupa gjykuese të përbërë nga pesë gjyqtarë apo në Kolegje të Bashkuara. Po ashtu, prania e gjyqtarit të katërt nuk sjell dhe as garanton funksionim të shtuar të kësaj gjykate në raport me praninë e vetëm tre gjyqtarëve”, thuhet aty
Reagon Dvorani
Por dje ka reaguar për mediat edhe vetë Dvorani. I pyetur se çfarë do të bëjë, ai është shprehur se po shqyrton mundësinë e ankimimit në Gjykatën Administrative. Pra do të thotë se tashmë beteja është hapur dhe nuk i dihet nëse plani i Metës do të rezultojë i suksesshëm.