Kushti i Bashkimit Europian për të ndëshkuar gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting duket se do të trazojë drejtësinë shqiptare. Prokuroria e Posaçme njoftoi pak ditë më parë se ka nisur hetimet për ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa gazeta ka mësuar se në lëvizje janë vënë dhe prokuroritë e rretheve.
SPAK i nisi hetimet për shkak të një padie nga avokati Fran Dashi, por ky i fundit ka paditur dhe disa gjyqtarë dhe prokurorë Apeli apo të Shkallëve të Para, të cilët po hetohen nga Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Shkodrës, e Durrësit dhe ajo e Elbasanit. Dosjet i ka transferuar SPAK, ndërsa gazeta ka mësuar se këto prokurori kanë nisur bashkëpunimin me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për të marrë dosjet e procesit të vetingut.
Bëhet fjalë për 10 gjyqtarë e prokurorë të cilët kanë ngelur në veting për probleme të shumta me pasurinë. KPK ka zbuluar shumë shkelje dhe çdo zbulim është në dorë të prokurorisë. Por sipas informacioneve ky numër pritet të shtohet. Janë rreth 100 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë ngelur në total nga procesi i vetingut. Mes 15 kushteve të Bashkimit Europian është dhe procesi i hetimit të njerëzve të ngelur në veting.
Qeveria ka hartuar një plan për integrimin europian, ku synohet që plotësimi i kushteve të mbyllet brenda tetorit. Kjo do të thotë se SPAK dhe prokuroritë e tjera kanë afat deri në tetor që të nisin hetimet për të ngelurit në veting. Momentalisht janë 100 emra që kanë dalë nga sistemi i drejtësisë dhe pjesa dërrmuese për shkak të shkeljeve pasurore.
Shkeljet
Gazeta ka kontrolluar të gjitha vendimet që ka zbardhur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ku tregohet qartë se pjesa dërrmuese e të përjashtuarve nga sistemi kanë kryer vepra penale. Përveç atyre që janë përjashtuar për kontakte me krimin apo aftësive profesionale, të gjithë që kanë ngelur për shkak të pasurisë kanë kryer krime. Të gjithë këta rrezikojnë të akuzohen për fshehje dhe mosdeklarim të të ardhurave.
“Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, thuhet në nenin 257/a të Kodit Penal.
Po ashtu rezulton se disa kanë bërë falsifikim formulari, falsifikim dokumentesh dhe kanë kryer shkelje me kreditë. Disa kanë mashtruar bankat me kreditë, ndërsa disa kanë përfituar kredi të butë në shkelje të ligjit. Një pjesë rezulton se kanë kryer evazion fiskal, pasi duke mashtruar me sipërfaqet e pronave kanë shmangur taksat.
Sipas parashikimeve në Kodin Penal, mosdeklarimi i pasurisë apo deklarimi i rremë dënohet deri në 3 vite burg. Falsifikimi i formularit dënohet deri në 4 vite burg. Falsifikimi i dokumentit dënohet deri në 3 vite burg. Dhe mashtrimi me kredi dënohet deri në 7 vite burg. Pra ka emra që rrezikojnë deri në 17 vite dënim.