E keni menduar ndonjëherë se e ashtuquajtura puthja franceze nuk ka lindur në Francë edhe pse emërtohet e tillë?
Puthja franceze është një shprehje e mirë-njohur e dashurisë në shumë kultura të botës.
Referencat për puthjen franceze, shfaqen në një numër tekstesh të lashta, me përmendjen më të hershme në gjuhën sanskrite rreth vitit 1500 Para Krishtit. Në tekstin e famshëm “Kama Sutra” të shekullit III Para krishtit, vendet e trupit të caktuara për t’u puthur përfshinin buzët dhe pjesën e brendshme të gojës, duke sugjeruar se puthja me gjuhë ishte duke u praktikuar në Indinë e asaj kohe.
Një hipotezë për evoluimin e puthjes me gjuhë, është se kjo ka ndodhur si pasojë e natyrshme e të ushqyerit me gji të pasardhësve tek popullatat e gjitarëve. Megjithatë, kjo nuk shpjegon se pse kjo praktikë u zbatua në disa shoqëri njerëzore, dhe jo të tjerat.
Termi “puthje franceze” shkruan Associated Press ka të ngjarë të jetë shpikur nga ushtarakët amerikanë dhe britanikë në Francë gjatë Luftës së Parë Botërore, të cilët vunë re se gratë franceze ishin më të hapura për të përdorur teknikën erotike të puthjes, se sa homologet e tyre amerikane.
Është interesant fakti, që deri para pak kohësh francezët nuk kishin ndonjë fjalë specifike për këtë lloj puthje. Folja ‘galocher’, e përcaktuar si “puthje me gjuhë”, iu shtua fjalorit francez ‘Le Petit Robert’ vetëm në 2014.