Mjeku i njohur Pëllumb Pipero thotë se vëllezërit Budina nëse kanë dyshime për testin që u është bërë për Covid-19 dhe ku ata dolën pozitivë, mund të bëjnë një test të dytë sepse ai vërteton rezultatin. Ai nuk përjashtoi mundësinë dhe që testi i parë të mos jetë 100% i saktë.
“Është fare e thjeshtë, nuk duhet të harrojmë që raste fallco pozitiv ka kudo në botë. Secili nga ne që nuk ka shenja, mendon se s’ka pasur ku të infektohet, mund të bëj një test të dytë dhe kjo vërtetohet. Edhe nëse ata mendojnë se analiza s’është e saktë, mund të bëjnë një test të dytë dhe e verifikojnë. Por këtyre personave ne iu rekomandojmë që të qëndrojnë 7 deri në 10 ditë në shtëpi të monitorojnë veten”, tha mjeku.
Më tej, ai tha se shumica e të prekurve me covid-19 sipas studimeve botërore nuk shfaqin shenja. Por kjo u shpreh Pipero nuk jep siguri se ata nuk mund të shfaqin shenja deri në ditët e fundit të infeksionit.