Në përditësimin e të dhënave Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar 69 raste të reja me koronavirus, duke e çuar kështu në 1590 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
Ministria ka bërë thirrje që të tregohet kujdes dhe të ruhet distancimi social.
“Nisur nga fakti se ditet e fundit po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje dhe subjekte tregtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.
Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura:
Kur dilni, qendroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani duart, përdorni maska ose barriera mbrojtese kur nuk mund te ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qendroni.