Ndërsa fansat presin sezonin e pestë të një ndër serialeve më të ndjekur në botë, “La casa de papel”, interpretuesja e Tokio, Ursula Corbero, shpërndau në “Facebook” një video argëtuese të papraskenave të prodhimit të “Netflix”.
Pamjet i transportojnë fansat në sheshxhirim, që pavarësisht toneve dramatike, ku nuk mungojnë as gafat, ka të qeshura pafund dhe momente ilariteti gjatë xhirimeve, duke nxjerrë kështu në pah edhe afrimitetin e madh mes të gjithë kastit të aktorëve dhe grupit të punës. Edhe enigmatiku dhe seriozi Profesor e lëshon veten, ndërsa Ursula është gjithnjë gati të jetë në qendër të vëmendjes dhe të bëjë shaka.
Videoja shërben edhe për të zbuluar ndonjë sekret nga prapaskenat e serialit më të shikuar të pranverës 2020. Ka nga ata që harrojnë batutat, si Nairobi dhe Tokio, që rekomandon, “Mos më filmoni”, kur gabon. Vetë Ursula Corbero shpesh nuk arrin të mbajë tonet tragjike të personazhit të saj dhe ndonjëherë shpërthen në të qeshura ndërsa kërcënon dikë, ose ndërsa puth Rio.
“La casa de papel” u rikthye në streaming në “Netflix” në fillim të prillit e episode të sezonit 4, duke mbajtur të mbërthyer miliona fansa gjatë karantinës prej koronavirusit. Seriali, në fundjavën e daljes së episodeve, shpartalloi të gjitha klasifikimet, duke u bërë seriali më i shikuar në botë.
Sipas “Bluper”, që muaj më parë, seriali ka firmosur një kontratë me “Netflix” dhe për dy sezone të tjerë, 5 dhe 6. Siç dhe ka ndodhur, episodet e reja duhet të xhirohen radhazi, edhe nëse ato lëshohen në transmetim në dy pjesë dhe në dy momente të ndryshme. Sidoqoftë, lajmet ende nuk janë konfirmuar dhe Netflix pritet ta njoftojë zyrtarisht rinovimin e saj.