Punonjësit e “Rozafa Fish City” në Labinot Fushë, banorë por edhe administratori i kësaj Njësie reagojnë për protestën e banorëve të zonës.
Ata hedhin poshtë pretendimet e disa banorëve dhe sqarojnë me fakte se përpunimi i karkalecit nga kjo kompani, nuk ndot lumin Shkumbin. Po ashtu gjatë reagimit publik u hodhën poshtë pretendimet se banorët ishin kërcënuar se do ju merrej toka dhe uji.
Administratori i Labinot-Fushë Remzi Hazizi, deklaroi se ka folur vetë me banorët dhe ju ka sqaruar situatën e krijuar. Ai tha po ashtu se është për të ardhur keq që baltoset e një biznes i ndershëm nga politika.
“Jam këtu për t’ju shërbyer banorëve, më vjen keq që kjo çështje bëhet politike. Nuk ka ndodhur që të grabiten tokat a uji. Më vjen keq që ky biznes apo cdo biznes tjetër të baltoset nga politika. I kemi sqaruar banorët, kërkesat e tyre i kam parashtuar. Më kanë thënë që biznesi në fjalë ka grabitur ujin e fshatit, do grabisë tokat e fshatarëve. Unë kam kontaktuar me biznesin në fjalë më ka thënë shprehimisht: Nuk iu bëj të tjerëve asgjë që s’dua të më bëjnë mua”,- thotë Remzi Hazizi.
Administratorja e “Rozafa Fish City”, deklaroi ndër të tjera se: Nuk është ujë i ndotur ajo që hidhet në lumë. Ne kemi 5 puse, nuk i kemi vjedhur ujin absolutisht banorëve. Karkaleci importohet nga Europa, vjen i ngrirë. Të gjitha proceset e filtrimit të ujit bëhen këtu por është një proces i pastër teknologjik”.
“Unë jam thjesht një punëtore, një qytetare. Kam 5 vjet që punoj këtu. Nuk është e drejtë se ju kërkoni të mbyllni biznesin e ndershëm, të na hiqni bukën e fëmijëve. Këtu s’ka asnjë ndotje”,- tha njëra prej punëtorëve.
Ndërsa një banor i zonës u shpreh: “Kam takuar vetë Gjergj Lucën. Në momentin që lë takim me të ai më thotë nëse Rozafa prek ujin e pijshëm, do jesh ti i pari më tha, që të ngrihesh në protestë. Më tha që për ndotjen e ka problem, prandaj ai ka marrë një tokë afër Shkumbinit dhe atje do ta përpunojë karkalecin. Po të kishte qëllim që të merrte tokat e Labinot-Fushë nuk do paguante para ai për të blerë tokën ku do ngrejë impiant për përpunimin”.
Ndërsa një banor tjetër u shpreh: “E ka bërë këtu bahçe me lule, ka punësuar gjithë banorët e zonës. Turp t’ju vijë atyre që hedhin baltë”./BalkanWeb