Lacio është një superskuadër këtë sezon. Rivalizon me më të fortat dhe ka shanse madje të kapë edhe finale e Europa League. Gjithcka po shkon perfekt për ekipin ku drejton shqiptari Igli Tare dhe mbron katërkëndorin e portës shqiptari tjetër Thomas Strakosha. Sot në mbrëmje lacio mundi Udinezen dhe me këtë trepikësh merr vendin e katërt që e mbante Interi, duke qenë në zonën e Champions League.
Në fakt ishte një fitore me përmbysje, një ndeshje e madhe për Lacion dhe portierin Strakosha. Në transfertën e vështirë të Friulit, ndaj Udinezes, bardhekaltrit triumfuan 1-2, në një takim ku gjithçka u zhvillua në pjesën e parë. Fillimisht ishte Udineze që kaloi në avantazh, ndërsa më pas Lacio u kundërpërgjigj me anë të Immobiles dhe Luis Albertos, duke përmbysur rezultatin.
Në fraksionin e dytë të lojës vendasit këmbëngulën për të barazuar shifrat, por Strakosha u shfaq në lartësinë e detyrës, duke ndalur çdo tentativë drejt portës. Tashmë Lacio shkon në kuotën e 60 pikëve, në vendin e 4-t, po aq sa ka edhe Roma e vendit të 3-të dhe dy më tepër se Interi i vendit të 5-të. Për Igli taren dhe Thomas Strakoshën gjërat po ecin në drejtimin e duhur dhe me një Ciro Imobile në formë cdo gjë mund të realizohet.