Formula 1 jep spektakël dhe emocione, por sot dhuroi dhe një incident që për pak shkaktoi tragjedi. Një teknik mbeti i plagosur, me këmbë të thyer, pasi e shkeli piloti Kimi Raikonen gjatë një pit-stopi. Një episod shumë i rëndë ka ndodhur sot gjatë Çmimit të Madh të Bahreinit në Formula 1, ku Kimi Raikonen i thyen këmbën një prej mekanikëve që po ndërronin gomat e makinës së tij në pit-stop. Finlandezi kishte hyrë për të bërë zëvendësimin e gomave në një garë ku po luftonte për vendin e dytë pas krahëve të Fetel.
Por Raikonenit iu dha urdhri për të dalë nga bokset ndërsa një prej mekanikëve nuk ishte larguar ende nga pozicioni i tij dhe goma e pasme e makinës Ferrari shkeli personin në fjalë duke i thyer këmbën. Pak çaste më vonë, Raikonen u tërhoq nga gara, pasi mekaniku në fjalë nuk i kishte ndërruar dot gomën, ndaj nuk ishte larguar ende nga makina, duke bërë të qartë se finlandezit i kishin dhënë sinjal të gabuar për t’u kthyer në pistë. Ishte pikërisht ky incident që tronditi skuderinë e Ferrarit dhe krejt të pranishmit në pistën e Bahrenit. /Pamfleti Sport