Mediat e huaja kanë transmetuar pamje të rënda të një sulmi të dyshuar kimit në Siri. Të paktën 70 persona kanë vdekur pas një sulmi të dyshuar kimik në qytetin sirian Duma, që gjendet në enklavën e Gutas Lindore, pranë Damaskut kanë thënë organizatat mjekësore dhe ekipet vullnetare të shpëtimit.
Lajmin e bën të ditur agjencia e lajmeve Al Xhazira, duke raportuar dëshmitë e banorëve dhe vullnetarëve.
Helmetat e Bardha, një grup i ndihmës së shpejtë që operon në zonat e kontrolluara nga opozita, kanë treguar se pjesa më e madhe e viktimave janë gra dhe fëmijë.
Një banor i Duma dhe mjek vullnetar ka thënë se bilanci i viktimave mund të rritet: “Më shumë se një mijë njerëz kanë vështirësi me frymëmarrjen, pasi një bombë klori është hedhur në qytet”.
Të plagosurit janë me qindra dhe shumë prej tyre në rrezik për jetën. Të premten regjimi sirian dhe aleatët e tij kanë filluar një ofensive të madhe në qytet.
Sipas Damaskut, lajmi i sulmit me armë kimike përfaqëson një tentativë të rebelëve të grupit të Jaish al-Islam për të ndaluar përparimin e ushtrisë. Qeveria siriane i ka quajtur pretendimet për sulm kimik si “fabrikim”.
Ekipi vullnetar i shpëtimit “Helmetat e Bardha” kanë publikuar imazhe të viktimave.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara thanë janë duke monituar nga afër raportimet “shqetësuese” për mundësinë e përdorimit të armëve kimike nga forcat e qeverisë siriane dhe Rusia, duke shtuar se ata do të mbahen përgjegjës nëse vërtetohet se janë kryer sulme me armë kimike.
“Historiku i qeverisë siriane në përdorimin e armëve kimike ndaj popullit të vet, nuk vihet në diskutim”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Neurte.
“Rusia, me mbështetjen e saj të palëkundur për regjimin, në fund të fundit mban përgjegjësi për sulmet ndaj sirianëve me armë kimike. Duke mbrojtur Sirinë, Rusia ka shkelur obligimet e saj ndaj Kombeve të Bashkuara”.
Neurte ka shtuar se “Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë që t’i japë fund kësaj mbështetjeje të pamatur dhe të punojë me bashkësinë ndërkombëtare që të parandalojë sulme të tjera me armë kimike”.
/BalkanWeb