Pjesa e dytë ka qenë një makth i vërtetë për Laçin në ndeshjen e kësaj jave kundër Partizanit, ku miqtë shënuan 3 gola në 45 minutat e dyta, duke marrë një fitore të pastër në këtë transfertë të vështirë.
Në Laç takimi u zhbllokua nga një gol i shënuar nga braziliani Lucas Cardoso, që dërgoi topin në rrjetë në minutën e 50’, duke i dhënë qetësinë të kuqve. Kur Laçi u hodh i tëri në sulm për të gjetur golin e barazimit, ishte një aksion fantastik i Besart Abdurrahimit, që galopon në krahun e majtë të sulmit, futet në zonë dhe shënon golin e dytë për Partizanin. Në minutën e 87’, me Laçin të dorëzuar tashmë, ishte Gerhard Progni që shënoi edhe golin e tretë për të kuqtë e Dalipit, duke vulosur rezultatin 0-3.
Fitore mjaft të vlefshme mori edhe Kukësi, që triumfoi minimalisht 0-1 në Kamëz. Me Gurin e dëmtuar, për verilindorët vendosi takimin braziliani Elton Cale, që shënoi në minutën e 5-të të takimit, duke bërë që Kukësi të konsolidohet në vendin e dytë të renditjes.
Nga ana tjetër Kamza mund të quhet zyrtarisht pjesë e zonës së ftohtë dhe do të duhet të luftojë shumë për të mbijetuar në Superiore, pasi Vllaznia dhe Teuta janë shumë pranë saj në renditje.