Ministri përgjegjës për menaxhimin e pandemisë, Arben Ahmetaj ka konfirmuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama, do të heqë tatim fitimin për biznesin e vogël deri në 2029. Deklarata vlen për të gjitha bizneset që kanë një xhiro vjetore prej 14 milionë lekësh.
Fillimisht lajmin e bëri të ditur kryeministri Rama gjatë një interviste, ndërkohë dje Ahmetaj ka sqaruar në një konferencë për mediat detajet në lidhje me nismën e qeverisë. Ahmetaj theksoi se bëhet fjalë për jetësimin e një plani kombëtar 2030. Ai sqaroi se plani do të jetë i detajuar dhe do të përfshijë reforma konkrete. Sakaq ish-ministri i Ekonomisë, tashmë ministër për gjendjen e pandemisë, nënvizoi se synimi i këtij plani është vazhdimi i transformimit ekonomik të vendit.
“Jam këtu sot për të komunikuar me qytetarët avancimin e Planit Kombëtar Shqipëria 2030. Plani Kombëtar nuk do të jetë një strategji e bazuar në teoritë ekonomike, por do të jetë një plan i detajuar zhvillimi me reforma konkrete, me aksione konkrete, me projekte konkrete dhe me një kalendarizim muaj pas muaji dhe vit pas viti. Synimi i Planit Kombëtar është vazhdimi i transformimit ekonomik të Shqipërisë dhe realizimi i ëndrrës së madhe të shqiptarëve për integrimin europian të Shqipërisë”, tha Ahmetaj.
Ja kush përfiton
Ahmetaj bëri me dije se ata që do të përfitojnë nga ky plan janë bizneset private të vogla, të cilët do të çlirohen nga taksat. Tatim fitimi do të jetë 0 për biznesin e vogël, sipas planit ekonomik të ri. Sakaq Ahmetaj theksoi se biznesi i madh do të shtyhet që të formalizohet.
“Brenda Planit Kombëtar 2030, siç e ka konfirmuar dhe kryeministri Rama dje, do të ketë një masë të rëndësishme për shumicën e shqiptarëve që punojnë në sektorin privat, për shqiptarët që bëjnë, ose punojnë në biznesin e vogël. Kryeministri dje ka komunikuar me shqiptarët iniciativën e fundit që ka të bëjë me çlirimin nga taksat për të gjithë biznesin e vogël deri në xhiro 14 mln lekë.
Zero tatim-fitimi për të gjithë biznesin e vogël deri në vitin 2029. Kjo është një mundësi shumë e madhe për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit që do të hapë një biznes, një fillesë sipërmarrjeje në Republikën e Shqipërisë, do të jetë i çliruar nga taksat, nga tatim-fitimi, nga kontrolli i vazhdueshëm i tatimorëve dhe përkundrazi në këtë mënyrë do t’i bashkohet institucioneve shtetërore në funksion dhe në të mirë të buxhetit të shtetit duke presuar dhe shtyrë biznesin e madh që të formalizohet çdo ditë e më tepër”, sqaroi Ahmetaj.
Heqja e TVSH
Ndër të tjera, Ahmetaj sqaroi se zerimi i tatim fitimit mund të shoqërohet edhe me heqjen e TVSH-së. Ai bëri të ditur se për krijimin dhe realizimin e planit janë angazhuar specialistë të huaj dhe të vendas. Sipas Ahmetajt ky plan i ri ekonomik, do t’i japë mundësinë shqiptarëve që të jetojnë në punë të ndershme.
“Zerimi i tatim-fitimit, ashtu siç iu referua dhe kryeministri dje, mund të shoqërohet me heqjen e tatimit të vlerës së shtuar. Ne kemi angazhuar një sërë specialistësh vendas dhe të huaj në kuadrin e Planit Kombëtar 2030, pra Shqipëria 2030 për të pasur aty reflektim për çdo shqiptar që do të jetojë me punë të ndershme për çdo shqiptar jashtë atdheut që do t’i rikthehet punës në atdheun e vet dhe unë jam pozitivisht i shtyrë të them që dhe kërkesa që ka bërë kryeministri për sa i përket heqjes së tatimit të vlerës së shtuar pas kalkulimit dhe projeksioneve që i bëjmë për vite të tëra në vazhdim ekonomisë apo dhe detajimit të procedurave të mundshme për ta thjeshtëzuar të gjithë procedurën dhe qasjen që kemi me sipërmarrjen për sa i përket jo vetëm taksave, por në këtë rast TVSH”, tha Ahmetaj.