Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar ndaj procedimit për të, por edhe për deputetë të tjerë pas protestave të fundit me bllokimin e 4 akseve kryesore.
“Është një veprim qesharak i hetuesisë politike Rama-Marku, i cili ekspozon për fat të keq, atë që kemi paralajmëruar para shumë kohësh, që tani Edi Rama ka future në dorë edhe drejtësinë edhe prokurorinë. Kjo është faza e fundit e autokracisë që grumbullon të gjitha pushtetet. Unë e kam për nder që procedohem penalisht bashkë me qytetarët që jemi ngritur në protesta për një të drejtë legjitime.
Për të mbrojtur 11 kuksianët e arrestuar padrejtësisht dhe që mbahen padrejtësisht në qelitë e burgut. Mbahen aty sepse janë ngritur kundër një faj të pranuar botërisht të Edi Ramës, që ishte vendosja e traut dhe tarifës korruptive në rrugën e Kombit. Beteja do të vazhdojë dhe askush prej nesh nuk frikësohet apo prapset nga ky veprim qesharak i hetuesisë politike, Rama-Marku. Ndaj i bëj thirrje qytetarëve, që me besim dhe pa pikë frike të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Nuk na arrestojnë dot të gjithëve”, tha Basha.