Stabilizohet kurba e të infektuarve me koronavirus në vend. Ditën e djeshme përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, gjatë raportimit mbi bilancin ditor për Covid-19 tregoi se në 24 orët e fundit në Shqipëri kanë rezultuar pozitivë vetëm 6 pacientë, të cilët janë raste të kontakteve me persona të infektuar më parë nga Tirana dhe Shkodra.
Ajo shpjegon se pozitiv vazhdon të jetë edhe numri i pacientëve që fitojnë luftën me koronavirusin dhe lënë spitalin për t’u mbajtur nën kontroll nga mjeku i familjes. “Ju informojmë rreth situatës së COVID-19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit. Situata në spitalin infektiv paraqitet e qëndrueshme.
Aktualisht po trajtohen 16 pacientë, ndërsa 4 prej tyre janë në terapi intensive. Numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin sot ka kaluar mbi 1 mijë. Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 6 raste pozitivë. 4 raste janë në Tiranë dhe 2 në Shkodër, kryesisht kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, por edhe raste në proces hetimi epidemiologjik. Po aq sa numri i të prekurve është edhe numri i të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit, 6 pacient janë të shëruar në 24 orët e fundit’’, njoftoi ajo.
Më tej ajo tregon se aktualisht në Shqipëri janë 177 pacientë të verifikuar me koronavirus, ndërsa me vdekjen e të moshuarës një ditë më parë numri i pacientëve që kanë humbur jetën shkon në 32. Gjithsesi evidentohet se numri i të shëruarve është më i lartë dhe që prej fillimit të pandemisë 79% e të infektuarve tashmë janë shëruar. “Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14500 testime molekulare dhe serologjike.
Në vendin tonë aktualisht janë 177 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë. Nga fillimi i epidemisë rreth 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Fatkeqësisht 32 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me Covid-19, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor”, njoftoi ajo. Në përfundim Eugena Tomini sqaroi se pavarësisht së në këto dy javë kurba e të infektuarve ka shfaqur luhatje, situata është drejtë përmirësimit dhe mjekët kanë gjithçka nën kontroll.
Ndërsa kurba vjen drejt zbutjes qytetarët presin që edhe masat kufizuese të eliminohen totalisht. Lidhur me këtë çështje dje kryeministri i vendit Edi Rama tha se në javët në vijim vendi do të hapet plotësisht, por edhe dy javë të tjera fundjava do të jetë e mbyllur. Ndërsa shtoi se e diela pa makina do rikthehet në tetor dhe do të vazhdojë si zakon deri në mars të vitit të 2021, kjo në kuadër të përkujdesit ndaj natyrës dhe ajrit të pastër, por edhe frenimit të një vale tjetër virusi.
Por me sa duket ky propozim i kryeministrit do të hapë debat të fortë mes qytetarëve, bizneseve dhe ekspertëve të ekonomisë. Menjëherë pas vendimit të Edi Ramës shumë qytetarët kanë reagar në rrjetat sociale, ku një pjesë e kanë mirëpritur dhe të tjerë e kanë kundërshtuar. Ndërsa nuk kanë munguar edhe reagimet e ekspertëve. Një prej tyre është eksperti i ekonomisë Artur Sulçe, i cili në një intervistë televizive tha se deklaratat e kryeministrit Rama për të dielën pa makina janë të pamundura, pasi kjo është një e drejtë që nuk mund ta kundërshtojë asnjë ligj. “Nëse do të flasim për ditën pa makina, duhet të modernizosh trafikun urban, nuk mund të bllokosh lëvizjen, pasi ajo është pjesë e brendshme e njerëzve, nuk mund t’ua privosh qytetarëve lëvizjet, pasi nuk është atribut i kryeministrit.
Nuk mundet që një titullar, të na bëjë këto lloj veprimesh, që në mendimin tim janë donkishoteske”, tha Sulçe. Më tej ai shtoi se postimet e Ramës në rrjetet sociale nuk mund të merren si deklarata zyrtare nga ana e qytetarëve, dhe se në vendin tonë mungon infrastruktura për të bërë të mundur të dielën pa makina.“Gjithkush deklarimet e kryeministrit në Facebook nuk mund t’i marrë si zyrtare, dhe aq që të jetë i detyruar t’i zbatojë ato. Deklaratën se e diela do të jetë pa makina është e pakuptueshme, pasi ka njerëz që punojnë edhe në këtë ditë”, tha ai./Sot/ ESMERALDA HIDA