Nga Anri Bala
Si mundet, që një tufë mjeranësh t’i kërkojnë një populli të tërë, të duan atë që se duan! Këta zabërhan, shfrytëzojnë lirinë e tyre në kohë të rënda “palirie” dhe kjo i trimëron për të shkelur në lirinë tonë, megjithëse nuk kuptojnë asgjë nga memoria, sepse kanë humbur memorien e tyre… kanë harruar se kush janë!
Maskarenj dhe shërbetorë të gjithkujt që u ofron një kockë a një gënjeshtër, se frenimi i zhvillimit dhe lehjet rrugëve si lukuni ujqërish, do i’u japin një mundësi, kthimin aty ku nuk ktheheni më kurrë, në pushtetin e pamerituar…mos shpresoni kot.
Si është e mundur që nuk e kuptoni, se ne nuk jemi si ju, por as ata që ju rrinë rrotull nuk janë si ju, sepse, as kanë vjedhur, as kanë mashtruar, as kanë vrarë dhe as kanë grabitur, ndërsa fotografia juaj kolektive të “kall datën” dhe të bënë të vjellësh gjak dhe dhimbje.
Kur i’u shikon ju, thua me vete se si është e mundur, që gjithë ky vend, që ka me qindra e mijëra burra dhe gra mentarë, ka lejuar dhe lejon të tallet, gënjehet, vidhet e poshtërohet, nga një tufë zagarësh, që as të lehin nuk dinë, por se e kanë kthyer në art, kuisjen pas gardhit.
I njëjti ham-ham, të njëjtët surretër, të ndryshuar e lustruar me gjithëfarë dallaveresh, sot aktrojnë edhe skenarin e fundit të komedisë tragjike, zhanër, që nuk ekziston, por i shpikur nga ju:
– Si të vajtoni për memorien kombëtare të teatrit, që një herë e qani se i’a u fshinë nga sytë. por dikur e tallnit, pse Qazim Mulleti, intelektuali më i njohur i Tironës sëbashku me bashkëshorten e tij, poshtërohej në atë sallë pafundësisht.
– Pa përmendur tragjeditë revolucionare me gjyqe dhe dënimet e klerikëve më në zë, që dhanë jetën për besimin e tyre, apo për gjyqet e ish deputetëve intelektual, që u ridënuan qindra herë, në atë skenë, në atë karakatinë?!
– Ndoshta vajtoni kohën e barakës së ushtarëve italian, që sajdisnin “sinjorinat” shqiptare me muzikë e vallëzim?! Mos ndoshta keni nostalgji për bingo “Yllin”?!
Për një gjë jam i sigurtë, që ju nuk keni aspak nostalgji për asnjë centimetër të brendshëm të atij Teatri, sepse këmba juaj delikate, nuk mund kurrësesi të hidhte hapa mbi atë karakatinë. Po aq i bindur jam, se karriget e atij teatri, nuk mundën dot të provonin kënaqësinë e mollaqeve tuaja të trasha e të dhjamosura të “putheshin” me to, qoftë edhe për një herë të vetme, sepse ju shfaqnit sekëlldi për atë vend. Për ju, racën e veremosur të vendit tim, besoj se nuk i njohët ato karrige, as ditën kur u flakën jashtë godine, pak para se të shembej e gjitha.
A e dini pse ju nuk keni qenë kurrë në atë teatër, sepse nëse njëri prej jush do merrte pjesë në ndonjë shfaqje, mediat padyshim do e bënin lajm, siç ndodhte dikur… Por mua më vjen keq për gjithë ata që bien në “lesën” tuaj, duke mos ditur fare se përse janë aty, si peshku pa ujë, që kërcen vetë në tigan, duke menduar se e shpëton vaji i nxehtë.
Dilni e qani kufomën e gjorë, që nuk e njohët kurrë, me shpresën se mbi atë varr, do ngjallen kufomat tuaja politike. Ama të jeni të sigurtë, që ajo kufomë, do ketë vetëm një epitaf te dera: “Për spektatorin që nuk e njoha kurrë, këtu ka qëndruar një ngrehinë, që mori jetë artistësh, shpërfytyroi karaktere njerëzore dhe në ditën e aktvarrimit mori me vete dhe shpresën e fundit të orlave dhe horrave, korbave dhe sorrave, që mendonin se do fluturonin mbi kufoma”!
P.S: Një muze për gjithë korifejt e artit skenik shqiptarë, që nuk arritën ta shikonin teatrin e ri, por u larguan nga kjo botë me dhimbjen e karakterit të ndryshur nga diktatura, pa patur mundësi dhe zgjidhje tjetër, por që na lanë trashëgim… talentin e tyre të pavdekshëm!/Ekskluzive.al