Nga Bledi Lumani
Në rrëfimet e tij për vitet kur i shërbente Sali Berishës si badigard, Izet Haxhia kujtonte edhe një moment me Edi Ramën, kur hipur në një makinë, kapardisur me disa tropojanë të tjerë, i kanoseshin e kërcënoheshin duke qeshur, se do ta rrihnin.
Nuk e di si ka reaguar Rama, një djalë qyteti “frikacak”, siç kanë qejf ta përshkruajnë kundërshtarët e tij të djeshem e të sotëm, por me siguri që është frikësuar, sepse në ato vite, Izeti me shokë të rrihnin vërtetë.
Dhe e rrahën në fakt. Vetë Izeti, apo SHIK-u, siç pretendon ai, tani pak rëndësi ka.
Vetë Rama ka folur një apo dy herë për këtë ngjarje, duke bërë përgjegjës SHIK-un, ndërsa Sali Berisha, i akuzuar se qendronte pas dhunës barbare, e mohon, duke thënë se ai ka qenë një krim pasioni.
Sot ajo duket një histori e largët, por në betejën politike, të pafuqishëm për ta sfiduar Ramën, frymëzuesit e dhunës së atëhershme, iu janë rikthyer disa herë kërcënimeve.
Berisha, kur përgatiste “revolucionin” për rrëzimin e Ramës, e mbyllte me ndonjë thirrje për tërheqje zvarrë, apo për fund të tmerrshëm të tij.
Në përfytyrimet e tij, duket se e shihte Ramën edhe njëherë të masakruar barbarisht, si atëherë kur fotot e tij i gjakosur dhe i trembur, qarkullonin në ato pak gazeta të kohës.
Tani, ashtu të gjakosur e të dhunuar, duan ta shohin ca argatë mediatikë, këtej e matanë kufirit, por këtë radhë të rrahur nga duart e fuqishme të Ramushit.
E proklamojnë me krenari forcën fizike të Ramushit dhe frikën që duhet të ndjejë Rama përballë tij, për ta banalizuar gjithë debatin e këtyre ditëve, pas helmit që kanë hedhur mediatikisht, duke trazuar jo marrëdhëniet mes Ramës e Ramushit, se ato dihet si janë, por mes vetë shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.
Rama në fakt, e meriton një të rrahur të mirë, por jo siç e përfytyrojnë këta, me grushta, leva e zvarritje.
E meriton për arrogancën me të cilën është sjellë ndaj politikanëve të Kosovës, Haradinajt e Kurtit në veçanti, pasi pavarësisht mendimit e marrëdhënieve personale me ta dhe pavarësisht sjelljes dhe prapaskenave të këtyre të fundit, duhet të ketë etikën e modestinë e një kryeministri, që me veprimet e tij, mund të trazojë ndenjat e një kombi të ndarë në dy shtete, që edhe pa ‘provokimet’ e tij, janë boll të trazuara.
E meriton sepse pas 6 vitesh si kryeministër, pavarësisht përgjegjësisë apo jo, të qeveritarëve të Kosovës, shqiptarët e të dy anëve nuk kanë mundur dot të rrëzojnë kufijtë, as ata fizikë, as ata ekonomikë, e as ata kulturorë.
E meriton, se këto 6 vite ka më shumë foto e takime me “vëllaun” e tij serb Aleksandër Vuçiç, se sa me “vëllaun” shqiptar të Ilir Metës, Ramush Haradinaj.
Por më së shumti, e meriton për qeverisjen e tij në Shqipëri.
6 vite nga zgjedhja e tij si kryeministër, shumë pak gjëra kanë ndryshuar për mir,
Shqiptarët janë po aq të varfër e të pashpresë, se një ditë mund të bëhet më mirë, me përjashtim të atyre pak “oligarkëve” që Rama u betua se do t’i luftonte kur ishte në opozitë, dhe që pa e kuptuar, po e “bashkëqeveris” këtë vend pikërisht me ta, duke iu dhënë edhe ato pak “llokma” pasurie që kanë mbetur.
Ndaj po, e meriton një të “rrahur” të mirë, por jo me grushta e leva, siç e imagjinojnë kundërshtarët e tij, por me votë.
Vetëm se, për fatin e keq, ata që ka përballë, meritojnë një të “rrahur” edhe më të madhe!