Situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit mori një pjesë pjesë të mirë të mbylljes së vitit që po lëmë pas, por do të jetë në qendër edhe të vitit të ri që vjen.
E megjithatë kryeministri Rama tha se qeveria nuk do të lërë pas edhe prioritetet e tjera të vendosura për këtë mandat të dytë.
Duke folur pas mbledhjes së qeverisë në Golem, Rama bëri një panoramë të asaj që na pret në 2020:
“Në fillim të janarit pas Vitit të Ri do të kalojmë aktin kundër krimit të organizuar dhe KÇK dhe do të vijojmë punën me paktin e Universitetit.
Në pranverë do të jemi në kantier për Kampin Universitar. Kemi nisur procedurën për aeroportin e Vlorës.
Shumë shpejt do shpallet procedura për parkun në Divjakë, rrugën e re që do të ndërtohet nga e para Thumanë-Rrogozhinë.
Shpejt do shpallet procedura dhe për tunelin e Llogarasë. Pastaj dhe vepra të tjera si Shëngjin-Velipoja. Procesi i legalizimeve.
Shpejt kalojmë në parlament ligjin e ri për tokën. Kemi një tjetër prioritet të rëndësishëm shërbimet online, do të hyjë në proces konkretizimi që në janar me një numër shërbimesh.
Qytetarët do të bëjnë aplikimet online. Në qershor do të jetë vala e dytë dhe në 2020 do të mbyllim të gjitha sportelet.
Së fundi shengeni rajonal, një tjetër prioritet i rëndësishëm.”