Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka filluar të shqetësojë politikën shqiptare. Edhe pse të gjithë u turrën të urojnë 8 prokurorët e SPAK pas betimit te presidenti, dje kanë nisur sulmet dhe akuzat e para. Ashtu siç pritej, partia që tregoi se është në ankth nga SPAK, është Partia Demokratike. Dje Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shpërtheu me akuza të forta ndaj kreut të SPAK Arben Kraja dhe prokurorit Altin Dumani.
Ai akuzoi Krajën se i ka shërbyer regjimit komunist dhe nuk mund të jetë në atë post. “Një dokument i Korrikut 1990, i bërë viral ditën e djeshme, ka zbuluar se Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, ka marrë pjesë në procese politike, duke i shërbyer regjimit diktatorial deri në grahmat e tij të fundit. Partia Demokratike ka bindjen se një ushtar i diktaturës më të egër në Europë, që dënon qytetarët me motivacionin “për dëmtim të moralit komunist” nuk mund të jetë shërbëtor i shtetit të së drejtës. Përveçse një hetues i diktaturës, drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, është propozuar nga PS si zëvendëskryetar i KLSH dhe ka punuar në Kryeministri për qeverinë e PS”, tha Bardhi.
Sulmi ndaj Dumanit
Pre e sulmeve ka rënë dhe prokurori Altin Dumani. PD ka publikuar një video, ku pretendon se ai ka pirë kafe me deputetin e PS, Ulsi Manja. “Fakti i dytë i rëndë, edhe ky i bërë publik nga media online, është takimi një ditë para votimit, i prokurorit Altin Dumani me përfaqësuesin e PS, Ulsi Manja. Altin Dumani ishte një nga kandidatët kryesorë për drejtimin e SPAK dhe ky takim, siç analizon me të drejtë media, për të marrë në KLP votat e kontrolluara nga njëri prej klaneve në PS, vendos në pikëpyetje profesionalizmin, pavarësinë dhe paanshmërinë e tij. Minimalisht prokurori Dumani ka detyrimin t’i sqarojë opinionin publik motivin e takimit me Ulsi Manjën, një ditë përpara votimit në KLP. Duke marrë shkas nga këto dy fakte të rënda, PD kërkon fuqimisht nga partnerët tanë SHBA dhe BE, që t’i përmbahen garancisë që i kanë dhënë popullit shqiptar për të siguruar pavarësinë e SPAK”, tha Bardhi në një deklaratë për mediat.
Pse shqetësohet PD?
Nga sulmet e Bardhit tregohet qartë se paniku në radhët e demokratëve po rritet. Po pse shqetësohet PD? Gjatë kohës që në krye të Prokurorisë ishte Adriatik Llalla, pati padi ndaj një sërë funksionarësh demokratë. KLSH dhe qeveria socialiste ngritën padi ndaj disa ish- ministrave, duke filluar nga Arben Imami, Lulzim Basha, Sali Berisha, Ridvan Bode, Sherefedin Shehu, e shumë të tjerë. Kallëzimet kanë të bëjnë me abuzime në detyrë, por që të gjitha u pushuan në mënyrë të fshehtë.
Por duket se dyshja më e shqetësuar në këtë mes është Berisha-Basha. Kraja duket se është kthyer në makth për Bashën, pasi është prokurori që hetoi dosjen e rrugës Durrës-Kukës. Dosja u kopsit, por ishte Gjykata e Lartë që e shpëtoi Bashën. Kraja ka të gjitha mundësitë ta rihapë çështjen. Por nga ana tjetër ka dhe shumë dosje të tjera të bujshme që pritet të marrë në dorë SPAK, nga afera e CEZ, te Gërdeci e 21 janari. Për dy çështjet e fundit ka kallëzime të reja nga familjarët dhe nuk i dihet si do të ndryshojë rrjedha. Pra duket se PD e ka kuptuar rrezikun e SPAK dhe ka nisur sulmet./Kliti Topalli