Nga Ylli Pata
Një monolog i Krastës në një nga mediat e Kosovës është përhapur virtualisht, kryesisht nga mediat pranë opozitës, apo thënë më mirë kritike të ashpra të qeverisë.
Krasta, që prej vitit 2013, kur shpalli show-un me gërmën e parë të emrit të tij e kërkoi rotacion, në thuajse të gjitha reprizat e A-ve bën afërsisht të njëjtën gjë, por me protagonist të përmbysur.
Kërkon rotacion, flet për Republikë të rithemeluar si volterist i revolucionit francez, dhe i jep dru me intanacion të ashpër e direkt qeverisë dhe Edi Ramës.
Padyshim që Krasta apo kushdo gazetar apo njeri është në të drejtën e tij t’i japin dru e dajak qeverisë, Edi Ramës, apo kujt të duan, pasi kjo në fund të fundit është baza apo themeli i lirisë së shprehjes.
Nuk ka pse të bëjë çudi; dikush e pëlqen e dikush ndoshta jo, dikush e përkrah si mesazh, por shikon kontekst tjetër në këto deklamime alla teatrale, por megjithatë është gjëja më normale në botë.
Por ajo që duket se përbën zhvillimin e përgjithshëm politik në Shqipëri, që nga 2013-a, apo që kur Edi Rama ka ardhur në qeveri, rivalët e tij politik, ku kryesorët janë tre: Lulzim Basha, Sali Berisha e Ilir Meta, përdorin figura apo emra mediatikë për të bërë prezantimin e frymës opozitare.
Nëse gazetarët në kohën e Berishës, si Bushati, Shkullaku, Bejtja etj, limitoheshin deri në prezantimin e fakteve për të përcjellë qëndrimin e fortë kritik ndaj qeverisë, në epokën e Ramës, këta të fundit, duke shtuar edhe Krastën, i cili më shumë si gazetar fakti, është prezantues skene, janë anuar tek mesazhi për të krijuar një frymë kundërshtimi publik ndaj Ramës, madje edhe duke i bërë thirrje të forta publikut që të mos rrijë në shtëpi, por të dalë në rrugë e të themelojë atë që Krasta e quan “Republikë të Re”.
Njëri, në 2017-ën, bëri edhe 4 muaj “zbor” në rrugë për këtë kauzë, dhe në fund mori ALUIZN-in e OSHE-në si shtylla të Republikës.
Nejse, çdo gjë me dëshirë e sipas interesave a aspiratave të secilit.
Problemi është se këtu duket sikur kemi një përpjekje shumë të sforcuar të liderëve të opozitës për të nxjerrë në skenë prezantues apo aktorë, që të shpallin me tone e mjeshtëri skenike atë që ata vetë, duket se nuk kanë mundur ta realizojnë.
A nuk do të ishte më mirë që të gjenden njerëzit e duhur, që s’kanë nevojë për suflerë e aktorë?!
Ndoshta mund të ngjiste ajo puna e Republikës…
Sepse, duket se njerëzit bëjnë sehir pasi i shohin që tani figurat reale të “Republikave të reja”!
Mjafton të shikosh kush qëndron pas dhe kush financion mediat që pompojnë me rroga e bost-e monologjet që kërkojnë “komunarët” apo “pavelvllasovët” shqiptarë ….