Besimtarë bektashinj nga Shqipëria dhe mbarë bota kanë vizituar këtë javë Malin e Tomorrit, në pelegrinazhin e përvitshëm që bëhet në këtë tempull të shenjtë. Gazetari i mirënjohur Ferdinand Samarxhi në një intervistë dhënë në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se më shumë se 700 mijë pelegrinë vendas e të huaj kanë vizituar Malin e Tomorrit.
Samarxhi u shpreh se Mali i Tomorrit përmendet që në lashtësi. “Në Malin e Tomorrit nuk vijë vetëm besimtarë shqiptarë, por edhe të huaj. Kjo sepse është një mal i shenjtë, kemi të bëjmë me majën e Dodonës, e vjetër dhe e lashtë. Mali i Tomorrit që njihet si Baba Tomorri dhe Eskili e përmend në “Promotheu i lidhur”. Eskili e konsideron Dodonën si majë të shenjtë, më e vjetra dhe më e lashta. Ky tempull nga autorë të tjerë grekë cilësohet si më e vjetra, si pellazgjike. Pra, është tempulli më i lashtë në tokë”, tha Samarxhi. Gazetari Ferdinand Samarxhi tha se pelegrinët sa vijnë dhe shtohen es e kjo vjen për shkak se ata gjithmonë e më shumë marrin informacion për vlerat që ka Mali i Tomorrit. “Pelegrinazhi sa vjen dhe po bëhet më i vizituar. Kjo vjen edhe për shkak se po përhapet informacioni, për të treguar se çfarë tregon Mali i Tomorrit, historinë që mbart. Ky pelegrinazh po merr përmasa ndërkombëtare. Edhe Kurbani ka domethënien e madhe, sepse bëhen fli për të mirën e njerëzimit, njësoj siç bëheshin fli për Apolonin. Duhen falënderuar zyrtarët e Bashkisë Berat, policia, të gjithë ata që kanë ndihmuar në këtë organizim të jashtëzakonshëm.”, deklaroi ai.