Agjentë të infiltruar, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, policinë zvicerane dhe DEA-n amerikane u hodhën në sulm për të kapur një sasi rekord droge, 7 ton kokainë e pastër me një vlerë prej 10 milion euro e destinuar për tregun italian, por që s’mundi të shpërndahet pasi organizata me 5 anëtarë u shkatërrua falë operacionit të koduar “Brasile Low Cost”. Kaq elementë do të ishin të mjaftueshme sipas mediave italiane, për një skenar filmi me narkos në Amerikën Qëndrore apo Jugore, e gjithçka mund të merrte spunto nga vetë realiteti.
Bëhet fjalë për një organizatë ndërkombëtare droge, 5 anëtarët të së cilës janë tashmë pas hekurave. Kreu i organizatës konsiderohet italiani Salvatore Casamonica 43 vjeç, tashmë në burg me regjimin “416 bis”, bashkë me të personi që e strehonte Silvano Mondolesi dhe dy persona të rrezikshëm, një shqiptar Dorian Petoku 31 vjeç dhe një malazez Tomislav Pavlovic 40 vjeç që merreshin me transportin e mallit. Pjesë e grupit është edhe një tjetër shtetas italian që me sa duket priste mallin në Itali. Marcello Schiaffini 53-vjeç mësohet të jetë lënë në masën “arrest shtëpie”. Mbi të pestë anëtarët e grupit rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Sipas hetuesve rolin më specifik në këtë grup e ka luajtur Salvatore Casamonica. 43-vjeçari konsiderohet si një prej anëtarëve të klanit të importit të drogës nga amerika e Jugut. Ai mbante kontakte të drejtpërdrejta me kolumbianët, merrej me financimin e organizatës dhe organizimin e punës për importin e kokainës që do mbushte tregjet në Romë dhe Napoli.
Silvano Mandolesi është konsideruar si roja i bosit të organizatës Salvatore Casamonica. Në verën e vitit 2018 ai u arrestua pasi iu gjet në garazhin e vilës së tij në Castelli Romani, rreth gjysmë ton hashash, por me sa duket nuk reshti kurrë së qëni krahu i djathtë i Casamonicas dhe ta ndihmonte atë në fazën e ndarjes dhe përpunimit, kur malli mbërrinte në Itali.
Tomisllav Pavlovic, malazez, i lindur në vitin 1979, njihet si një person me të kaluar kriminale. Ai në të kaluarën është akuzuar për grabitje armëmbajtje pa leje dhe trafik droge. Në këtë grup siç thanë hetuesit italianë ai kujdesej për sigurimin e logjistikës së nevojshme për ta ruajtur drogën e më pas ngarkimin e saj në bordin e avionëve dhe importin e mëtejshëm drejt Evropës. Gjatë hetimeve rezultoi se ai kishte udhëtuar disa herë drejt Brazilit. Emri i tij ka dalë edhe në disa telefonata të përgjuara në kuadër të operacionit policor të koduar “World Mezzo”, ku përshkruhej si një kriminel i rrezikshëm që përdorte armën për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull në biznesin e drogës.
Dorian Petoku, nga ana tjetër, është një shtetas shqiptar, siç thonë mediat italiane, emri i të cilit ka dalë në hetime të shumta kundër trafikut të drogës. Ai konsiderohet gjithashtu si njeriu që ka strehuar trafikantin e njohur Arben Zogu, bashkëkombas i tij, i cili aktualisht vuan dënimin në burgun e Spoletos.
Ashtu si kreu i organizatës Salvatore Casamonica edhe shqiptari thonë hetuesit kishte kontakte të drejtpërdreja me organizatat e trafikut të drogës në Amerikën e Jugut, që të mundësonte trafikun e drogës nga Brazili në Itali. Ai bashkë me një person tjetër siç thonë mediat italiane u arrestua në Tiranë.
Por si transportohej droga? Mediat italiane kanë zbërthyer të gjithë skemën e transportit të kokainës. Malli ngarkohej në sasi rreth 1 ton në një avion privat. E ndërsa sigurohej transporti i kësaj sasie shqiptri Petoku dhe miku i tij malazez Pavlovic kontaktonin me brazilianët për të gjetur sasi të tjera, plot 7 ton.