Amerikanët kanë zbardhur detaje se si qeveria e Sali Berishës theu embargon e naftës ndaj ish-Jugosllavisë. Dihet tashmë se Shqipëria doli kundër OKB dhe Berisha lejoi që të furnizoheshin me naftë tanket e Millosheviçit. Vetë Berisha sot thotë se do të mirën e Kosovës, por sipas “Neë York Times”, janë dërguar me mijëra ton naftë në Jugosllavi.
Presidenti i Shqipërisë refuzohet në referendum
Votuesit e vendit që më parë ishte diktatura më e egër e Evropës kanë dhënë një refuzim të mprehtë ndaj presidentit të parë anti-komunist, të cilit i besuan gjerësisht në zgjedhjet e 1992. Në referendumin e nëntorit shqiptarët refuzuan me 54 ndaj 42 për qind draftin e kushtetutës së Sali Berishës, i cili kishte shmangur Parlamentin pasi nuk mund të siguronte dy të tretat e nevojshme të mbështetjes. Disfata konsiderohet si një pikë e ulët e rënies së nisur tashmë nga Berisha jo për atë që ka bërë por mënyrën sesi e bën. Shqipëria është qeverisur me dhunë nga Enver Hoxha dhe pasuesi i tij i zgjedhur Ramiz Alia, nga 1944 deri 1992 kur fitoi bindshëm Berisha, kardiologu energjetik e i padurueshëm. Por tashmë për shumë shqiptarë ai i ngjan pararendësve diktatorialë. Edhe liderët e opozitës Socialiste, pasues të komunistëve, e pranojnë se presidenti ka udhëhequr trazicionin drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut por më pas ka shkelur autoritetin e parlamentit dhe populli refuzoi stilin e ti autoritetar në referendumin e kushtetutës. “Shqiptarët nuk janë kundër Kushtetutës, por kundër stilit të tij të propagandës”, thotë Ismail Kadare. “Propaganda në televizion ishte frenetike.
Të kujtonte ditët e komunizmit”. Megjithëse Kushtetuta ishte hartuar nga komisioni parlamentar me konsulencë perëndimore, kushtetuta e propozuar ishte marrë përsipër personalisht nga presidenti, i cili e mbrojti me të njëjtën forcë dhe përçmim ndaj kundërshtarëve. “Ai nënshkruante autografe mbi kushtetutë, sikur të ishte prona e tij private”, thotë Agim Isaku, drejtor i Open Society e financuar nga filantropisti amerikan George Soros. Politikanët e opozitës e kritikuan draftin për fuqitë e shumta që i jep Presidentit, por thanë se votuesit refuzuan atë dhe jo kushtetutën. Në një intervistë Berisha refuzonte çdo kritikë dhe vazhdonte të identifikonte veten personalisht me të duke e quajtur “kushtetuta ime.” Ai tha se nuk diskutohet thirrja e zgjedhjeve të reja dhe as dorëzimi i një drafti të ri në parlament. Në një tryezë të rrumbullakët me liderët e partive, ai propozoi një komitet të ri hartues me ekspertë jo-parlamentarë duke marrë si model kushtetutën e jë prej vendeve perëndimore evropiane. “Berisha ka dëshirë të qartë për shoqëri demokratike dhe ekonomi të tregut, por e di ai vërtet se çdo të thotë kjo,” pyeste një ambasador i huaj duke kujtuar se ashtu si të gjithë shqiptarët dhe presidenti është një produkt i sistemit që i mohonte njerëzve çdo njohuri për shoqërinë demokratike. Ndërkohë gjykata e lartë shqiptare reduktoi sot dënimin për ish-presidentin Ramiz Alia nga nëntë në gjashtë vjet, pa dhënë asnjë arsye. Alia do të lirohet kështu në shtator, duke marrë parasysh dhe dy vjet të kryera në arrest shtëpie, reduktimet nga gjykata e apelit dhe amnistinë e njoftuar të dielën. Gjykata ka reduktuar ndjeshëm dhe dënime të tjera të ish-zyrtarëve. Alia është dënuar për abuzim me pushtetin në 1992 së bashku me nëntë ish-anëtarë të Byrosë Politike.
2 prill 1995
Shqipëria thyen embargon duke u dërguar karburant serbëve
Teksa palët luftuese në Bosnje përgatiten për ofensivën e verës, sasi të mëdha karburanti që përdoret për tanke dhe avionë po kontrabandohen haptazi drejt Jugosllavisë përmes liqenit të Shkodrës, në shkelje të embargos së Kombeve të Bashkuara. Fluksi i karburantit nga Shqipëria nisi dy muaj më parë dhe besohet se është i destinuar për makinerinë serbe të luftës. Gjithashtu miliona litra karburant janë zbuluar që po zhvendosen në Shqipëri drejt zonave veriore për të kaluar më pas përtej kufirit. SHBA ka shprehur shqetësimin ndaj qeverisë shqiptare për çështjen e monitormit të sanksioneve pas raportimeve për sasi të mëdha kalimesh të jashtëligjshme. Administrata Clinton po mendon të dërgojë notë diplomatike teksa në brigjet shqiptare të liqenit vazhdon ndërtimi i stacioneve të reja të furnizimit. Në rrugën prej 30 km përgjatë liqenit ka më shumë se 20 pika furnizimi të cilat së bashku mbajnë rreth 1.5 milionë litra karburant, nga të cilat pjesa më e madhe kalon çdo ditë drejt Serbisë. Megjithëse karburant kontrabandë hyn në Serbi edhe nga rrugë të tjera si ajo përgjatë Danubit, Shqipëria po e furnizon atë me më shumë karburant se të gjitha burimet e tjera së bashku, thotë Antonio Napolitano, koordinatori i sanksioneve për OSBE dhe BE, zyra e të cilit ndodhet në Bruksel.
Qeveria shqiptare mohon se po lejon shkeljen e sanksioneve. Presidenti Sali Berisha tha në një intervistë se deklaratat e ambasadorit Napolitano dhe të ambasadës amerikane për masën e madhe të karburantit që po kalon nga Shqipëria në Jugosllavi, janë “absolutisht të pajustifikuara”. Ai shtoi se mund të ketë kontrabandë, por që nuk arrin nivele të konsiderueshme. Qeveria sipas Berishës, po bën ç’është e mundur për të kontrolluar trafikun, duke pasur parasysh mungesën e burimeve deh të trajnimit të policisë. Kombet e Bashkuara kanë ndaluar të gjitha mallrat përveç disa kategori ushqimesh dhe mjekimet drejt Serbisë. Napolitano tha se ndalimi i importit të karburanteve është bërë prej shqetësimit të përdorimit të tij ushtarak. Karburanti vjen në Shqiëpri nga kompanitë greke e italiane, dhe më tej hynë në Jugosllavi nga Mali i Zi, nga kufiri i liqenit të përbashkët. Nuk dihet me saktësi se çfarë ndodh me karburantin pas kësaj, por shumica e ekspertëve beson se nuk mbetet në Malin e Zi, i cili ka kufij në zonën serbe të Bosnjes, si dhe me Serbinë. Grupi i monitorimit të sanksioneve në Shqipëri, ku përfshihen amerikanë të marrë përkohësisht nga agjencitë e doganave dhe italianë, belgë e zviceranë, ka marrë vlerësime nga diplomatët amerikanë e evropianë për punën e tij. Misioni ka mandat vetëm të monitorojë e të raportojë për kontrabandën dhe jo ta ndalojë atë, por ai pengohet në punën e tij nga mungesa e bashkëpunimit të autoriteteve vendase, thotë një raport i zyrës së Napolitano. Presidenti Berisha ka cituar hapat që qeveria e tij ka marrë për të ndaluar fluksin e karburantit drejt Jugosllavisë, siç janë kërkesat e licencimit të stacioneve të furnizim në një rreze prej 3 kilometrash nga liqeni.
Një tjetër ligj kërkon që zyrtarët shqiptarë të verifikojnë që dërgesa po shkon te një përdorues legjitim, para se anija të lejohet të largohet nga porti. Një vizitë në qytet e bën të qartë se masat e qeverisë nuk po vihen në zbatim. Të paktën nëntë pika furnizimi që duhet të ishin mbyllur prej rrezes së tre kilometrave vazhdojnë të furnizojnë me karburant; ndërsa shumica e pikave të tjera janë vendosur vetëm disa dhjetra metra jashtë limitit. Gjatë dy javëve të para të shkurtit 15 milionë litra karburant është importuar në Shqipëri duke përfshirë dhe 5 milionë litra karburant avionësh Fuel-1, sipas dokumenteve të doganave shqitpare. Gjatë 10 ditëve të fundit të shkurtrit 400.000 litra karburant kanë shkuar drejt veriut me kamionë e bote, sipas të dhenve vendase, por diplomatët perëndimorë thonë se shifra është e nënvlerësuar.
Shqipëria e veriut ka vetëm 1,583 mjete të motorizuara të regjistruara, sipas shifrave zyrtare. Ndërkohë Shqipëria është vendi më i prapambetur në Evropë, me dy të tretatat e popullsisë që jetojnë nga prodhimet e fushës. Në të gjithë vendin ka rreth 140,000 automjete, duke përfshirë dhe traktorët, motoçikletat me kosh dhe makinat e kamionët e pasagjerëve, sipas zyrës së statistikave. Në të gjithë vendin nuk ka rrugë me katër korsi dhe rruga e vetme drejt aeroportit të vendit në Tiranë kalon mbi një urë që merr vetëm një automjet. Nafta ka qenë një nga burimet kryesore të të ardhurave të vendit. Autoritetet mbledhin taksat nga produktet e naftës. Në këtë vend të varfëruar autoritetet mblodhën $22 milionë taksa në vitin 1994, thuajse të gjitha nga tregtia e naftës, raportonte në shkurt gazeta “Zëri i Popullit”. Kjo ishte një rritje prej $8 milionë në vitin 1993, thuhej në gazetë. Fillimisht tregtia e naftës me Jugosllavinë bëhej në mënyrë sporadike nga banorët e zonave kufitare, por tashmë është marrë nën kontrollin e bandave të organizuara kriminale, thonë diplomatët e huaj. Kompanitë e huaja e sjellin naftën në portet e Durrësit e Vlorës në detin Adriatik, ku më pas merret nga kompanitë shqiptare. Më pas me kamioni nis rruga e lodhshme drejt veriut, nganjëherë me shpejtësi rreth 30 km në orë në rrugët e këqija. Karburanti më pas pompohet në pikat e furnizimit në Shkodër që zakonisht janë vetëm një pompë nën një strehë ku rri një burrë. Karburanti më pas pompohet në autobotë të tjerë teksa pikat e furnizim qëndrojnë hapur gjithë natën, për të përshkruar distancën e shkurtër drejt brigjeve të liqenit të Shkodrës. Trafikuesit nuk kanë frikë se do bezdisen nga njeri prandaj shpesh operojnë edhe ditën.