Nga Dilvin Yasa, Escape
Për ata që nuk janë të familjarizuar, Tirana ka gjithçka çfarë ju duhet për një arratisje perfekte evropiane. Trashëgiminë e saj osmane, atë të periudhës së komunizmit, gastronomi dhe jetë nate.
Afërsia me qytetet spektakolare që ndodhen në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s është një tjetër avantazh. Brenda pak orësh me makinë mund të arrini në destinacione të njohura si qyteti me kështjellë i Krujës apo qyteti i Beratit. Ndërkohë, riviera e mahnitshme shqiptare është fare pranë, dhe për ata që kërkojnë një qytet turistik klasik, vetëm 30 minuta larg ndodhet Durrësi.
Shtojmë këtu edhe mungesën e turmave gjatë sezonit të verës dhe çmime të përballueshme, që e bëjnë Tiranën një mundësi të shkëlqyer evropiane. Por si është e mundur që Tirana dhe Shqipëria në tërësi të kenë mbetur “jashtë radarit” për kaq gjatë? Është një pyetje që do t’ju shoqërojë teksa eksploroni itinerarin e mëposhtëm.
Dita 1: Mëngjes
Filloni ditën me një shëtitje në sheshin Skënderbej, zemra e qytetit. Mund t’i bëni homazhe heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me statujën e tij madhështore mbi kalë, por arsyeja kryesore për të qenë këtu është murali socialist mbi Muzeun Historik Kombëtar. Pasi të shijoni pamjen, vizitoni Xhaminë e Et’hem Beut, një xhami e ndërtuar në fund të shekullit të 18-të. Edhe pse nuk ka madhështinë e Xhamisë Blu të Stambollit, është monumenti i vetëm fetar që i mbijetoi komunizmit dhe është restauruar në mënyrë të shkëlqyer.
Afër ndodhet Kalaja e Tiranës, një vend i epokës bizantine, brenda së cilës ndodhen restorante, kafene dhe dyqane artizanale. Për drekë, sugjerohet restoranti Tartuf Shop, i specializuar në gatime me tartuf, me çmime tepër të arsyeshme. Mos harroni një ekspres në Rrugën Murat Toptani, një rrugë pedonale e bukur, e mbushur me pemë.
Dita 1: Pasdite
Rezistojini tundimit për të vizituar Piramidën e Tiranës – struktura është më pak mbresëlënëse se vetë emri i saj. Në vend të saj, vizitoni Muzeun e Mbikëqyrjes Sekrete, të njohur si “Shtëpia e Gjetheve”, një muze që dokumenton epokën e survejimit gjatë komunizmit.
Më pas ndaloni te Bunk’Art 2, një bunker bërthamor i kthyer në muze që tregon historinë e dhimbshme të terrorit komunist. Nëse e ndjeni se mund të përballoni më shumë, Bunk’Art 1 është gjithashtu një opsion, edhe pse për shumë është një përvojë intensive për një ditë të vetme.
Dita 2: Mëngjes
Parku i Madh i Tiranës është një vend ideal për të nisur ditën me liqenin e tij artificial dhe kafenetë buzë tij. Megjithatë, për një përvojë më mbresëlënëse, merrni teleferikun Dajti Ekspres, i cili është më i gjati në Ballkan (4.7 km). Udhëtimi me teleferik ju çon në malin e Dajtit, ku mund të bëni shëtitje, të eksploroni natyrën ose thjesht të relaksoheni në një nga baret e zonës.
Dita 2: Pasdite
Pas një mëngjesi aktiv, drejtohuni në restorantin Era në ish-Bllok, ku do të gjeni gatime tradicionale të shijshme dhe një atmosferë të ngrohtë. Mos lini pa provuar pudingun e famshëm të orizit.
Pasi të keni ngrënë, bëni një shëtitje në zonën e Bllokut, një lagje e njohur për historinë dhe energjinë e saj. Ndërsa jeni aty, ndaloni për një pije në Radio Bar, përpara se të eksploroni lagjen Pazari i Ri. Këtu do të gjeni suvenire, produkte artizanale dhe një atmosferë unike të tregut tradicional.