|Sali Berisha thotë se Rithemelimi e ka zyrtarisht logon e PD pasi ka një vendim gjykate që e njeh, dhe atë do ta mbrojë me çdo mënyrë.
Sipas tij është kryeministri Rama ai që nuk lejon regjistrimin e vendimit të gjykatës.
“Kjo nuk do të thotë se nuk kemi logo, ne e kemi logon. Gjykata ka vendosur. Vendimi i gjykatës për një parti është një kontroll i dokumentacionit dhe i parimeve nëse përputhet apo jo me Kushtetutën. Kaq. Nuk ka punë tjetër,” – u shpreh Berisha.
Ai shtoi se situata do marrë zgjidhjen që meriton pasi gjithçka që po ndodh është politike.
“Zgjidhja do jetë revolucioni. Pa diskutim. Nuk ka asgjë këtu, gjykatësi ka dhënë vendimin. Ne do i dalim zot vendimit, ligjit.” , tha Berisha.
Po çfarë do ndodhë nëse PD nuk regjistrohet në zgjedhjet lokale sipas Berishës?
“Së pari unë njerëzisht ju kërkoj të keni të qartë se për Shqipërinë dhe çdo vend anëtar të Këshillit të Evropës gjykata ka vendosur në mënyrën më të prerë, në vendet jo diktatoriale regjistrimi i çdo force politike dhe organizate bëhet në gjykatë në vende të tjera bëhet në ministri. Kalimi në gjykatë është një garanci për pavarësinë e tyre nga establishmenti.
Gjykata ka legjitimuar dhe çdo njeri që e ka të qartë këtë rregull elementar, me datë 11 Dhjetor e di se PD është rithemeluar. Asgjë në bote veç vullnetit të sëmurë të Ramës nuk e ndalon vendosjen e kësaj force politike në regjistrin e partive politike. Rama nuk e lejon regjistrimin. Që të gjitha tjerat janë turp, turp dhe vetëm turp të Ramës dhe dy, tre personave të keqpërdorur në shkallën më ekstreme prej tij.
A mund të imagjinoni ju një njeri që për fatin më të keq ka drejtuar një forcë politike dhe sot bën rolin ligjërisht të mashtruesit publik sepse e detyron Edi Rama. Në çdo vend të botës nëse ke pasur funksion publik dhe ke dhënë dorëheqjen s’mund të pretendosh në rrafshin ligjor të jesh ai që ke qenë. Kjo ndodh me të keqpërdorurin Lulzim Basha. Opozita do qëndrojë, asgjë nuk na mposht ne, jemi burra dhe gra me ideale të qarta. Lëvizja jonë është mision.”, tha Berisha.