Bëmat e regjimit komunist për t’i rezistuar sado pak revoltës qytetarë më 1991 janë rikthyer dje në vëmendje të qytetarëve shqiptarë, e veçanërisht atyre shkodranë. Dje u përkujtua masakra e 2 prillit 1991 ku 4 persona u vranë në atë që mund të quhet si protesta që vulosi vargun e reagimeve kundër regjimit të Ramiz Alisë.
Por edhe pse çdo vit demokratë dhe familjarët e viktimave e kujtojnë atë ngjarje, ajo vijon të mbajë mbi vete mjaft mistere, e pikëpyetje.
28 vjet më parë, qytetarët e Shkodrës, dolën në rrugë dhe nisën të protestojnë pas zgjedhjeve të para pluraliste. Protestat u zhvilluan para Komitetit të Partisë së Rrethit, duke marrë me shpejtësi një rrjedhë tragjike. Protesta degradoi pak orë më vonë në dhunë, pas së cilës mbetën të vrarë katër djem të qytetit të Shkodrës. Në orën 8.15 u raportua vdekja e protestuesit të parë, Bujar Bishanaku.
Ndërkohë në orën 08:45, u vranë Nazmi Kryeziu dhe Arben Broci, ky i fundit një figurë e njohur e lëvizjes studentore që solli pluralizmin. Ndërkohë rreth orës 10:00, u qëllua për vdekje edhe Besnik Ceka. U dogjën ndërkohë dhe godina e Komitetit të Partisë, Degës së Brendshme dhe disa makina policie. Autoritetet morën masa të forta, duke iu druajtur përshkallëzimit të situatës. Ministër i Brendshëm në atë kohë, ishte kryetari aktual i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe ndaj tij ka pasur shumë akuza.
Një ditë më pas Ruçi raportoi për ngjarjen në Parlamentin e Shqipërisë. Por ish-ministri u shpreh se kur ndodhi ngjarja ai ishte në një mbledhje me autoritete të larta, duke hedhur poshtë zërat se dha ai urdhër për ngjarjen.
“Ndërsa hetuesia jonë nuk futet dot as pas 2 ditësh në Shkodër për të kryer detyrën, telekronisti i Malit të Zi, siç del nga kronika e filmuar që dha televizioni i tij, u ndodh në vend dhe i përgatitur për të filmuar ngjarjen. Ose një moment tjetër:kush përfitonte nga transmetimi nëpërmjet Radio-Shkodrës i lajmit që Tirana ra etj, etj.?
Atëherë lind pyetja: kush janë këto forca brenda apo jashtë kufijve të Shqipërisë të interesuara për këtë tragjedi?”, shprehej Ruçi. Ai hodhi dyshime se vrasjet mund të ishin bërë nga brenda protestës. Më pas gishti u drejtua tek opozita e asaj kohe e drejtuar nga Sali Berisha. Edhe sot ka emra që deklarojnë se gjithçka ishte e planifikuar pasi PD i duhej një ngjarje e tillë pas rrënimit të bustit në mënyrë që të kapitullonte regjimi komunist.