Viti 1992 ka dy data historike për Kishën tonë të ringjallur nga hiri i komunizmit: 24 qershorin 1992, zgjedhjen e Kryepeshkopit Anastas në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe 2 gushtin – Fronëzimin e Tij. Kisha ka tashmë në krye një kryebari të shquar, i cili jo vetëm e rilindi dhe e ringriti nga hiri i ateizmit, por edhe bëri të barabartë dhe të njohur nga të gjitha Kishat motra e më gjerë.
Që kur erdhi si Ekzark Patriarkal, në verën e vitit 1991, Mitropolitit të Andrusës, Anastasit, iu shfaq një imazh apokaliptik: Komuniteti Orthodhoks ishte pa kisha, pa objekte administrative, pa klerikë dhe me besimtarë të mbajtur me dhunë larg Kishës dhe të edukuar që të mohonin Perëndinë. Kryepiskopi e nisi punën pikërisht atje ku kishte ndalur, te formimi i klerit dhe ringritja e kishave, për ta shtrirë gjithmonë e më tepër edhe në shumë fusha të tjera. Ishte pikërisht kjo këmbëngulje, përkushtim dhe aftësi e rrallë, që tërhoqi besimin, vlerësimin dhe dashurinë e besimtarëve orthodhoksë, që e vlerësuan si personin më të përshtatshëm për ta vazhduar edhe më tej këtë vepër.
Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, pasi shqyrtoi kërkesën e besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë, vendosi më 24 qershor 1992 zgjedhjen e Tij Kryepiskop të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa më 2 gusht 1992, u bë ceremonia e Fronëzimit, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, në të cilën besimtarët orthodhoksë, pavarësisht tentativave të atyre që donin të ndalnin ecjen përpara të Kishës sonë, dëshmuan mbështetjen për Kryebariun e tyre. Mbështetje që e kanë treguar në mënyrë të pandërprerë në çdo çast të këtij rrugëtimi, deri më sot.
Me rastin e 2 gushtit, 26-vjetorit të Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, do të ketë një Liturgji Hyjnore panegjirike. Ajo do të kryhet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me pjesëmarrjen e Kryepiskopit dhe të Sinodit të Shenjtë, të gjithë klerikëve të Kishës sonë dhe të përfaqësive nga të gjitha dioqezat.