Nga Alfred Peza
Dita e fundit e këtij muaji 31 maji, shënon zyrtarisht edhe 24 orët e para, të fillimit të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme lokale të 30 Qershorit 2019. Sipas ligjit elektoral shqiptar partitë politike, koalicionet dhe kandidatët në garë kanë pas kësaj një muaj në dispozicion, për të shpalosur platformat, programet, mesazhet, premtimet dhe për tu bërë gati nga pikëpamja organizative, edhe për të dielën e votimeve.
Si rrallëherë në këto 30 vitet e fundit, dita e parë e fushatës ishte pothuajse pushim, nga pikëpamja e aktivitetit politik në terren. PS kishte programuar shumë herët, se do ta hapte zyrtarisht më 30 maj fushatën e saj zgjedhore. Në Tiranë u njoftua organizimi i një takimi me 61 kandidatët e saj për kryetarë Bashkie të Shqipërisë dhe me të gjithë kandidatët për këshilltarë. Në përfundim të protestës së 25 majit, PD me sa duket ende nën euforinë e saj, e caktoi zhvillimin e mitingut të radhës në kryeqytet, ditën e nisjes së fushatës socialiste.
Për ti ikur me elegancë kësaj sjellje parapolitike, lidershipi socialist deklaroi shtyjen me 24 orë, të këtij aktiviteti. E si për ti shkuar deri në fund foshnjërisë së saj, edhe PD e shtyu protestën. Këtë radhë, duke e zhvendosur një ditë pas socialistëve. Justifikimi? Kishin harruar që të premten është Nata e Kadrit për besimtarët muslimanë dhe se të shtunën e 1 Qershorit, festa e fëmijëve. Kështu që përfundimisht e lanë për tu mbledhur sërisht para Kryeministrisë, më 2 Qershor.
Loja e “cic miceve” në 24 orët e para të fillimit zyrtar të fushatës, është pasqyra më e qartë për të parë, kulturën e sjelljes politike të lidershipit të opozitës sonë jashtparlamentare. Një kulturë që bazohet vetëm mbi improvizimin, duke konsumuar energji për gjëra boshe për ti ikur me vetëdije të plotë jo vetëm garës elektorale si e vetmja rrugë dhe mundësi për tu përfaqsuar në lojën e madhe të demokracisë. Por, me sa duket PD, LSI dhe aleatët e tyre po ikin pa e kuptuar as vetë, edhe nga sistemi politik i vendit. Duke i lënë hapësirat e tyre bosh, për forca dhe lëvizje të reja opozitare, që kanë filluar të forcohen në Shqipëri.
Lidershipi i opozitës sonë jashtparlamentare në vend që ta shfrytëzonte kohën e fundit në dispozicion, për të pranuar dialogun pa kushte me mazhorancën socialiste, vijoi fluturimin e pandalshëm drejt humnerës politike.
As 6 letrat e përditshme të Edi Ramës drejtuar Lulzim Bashës, që rrekeshin ti tregonin rrugën nëpër sokakun e errët ku ndodhet, drejt derës së hapur të dialogut;
As progres- raporti i KE që rekomandoi hapjen e menjëhershme dhe pa kushte të negociatave për anëtarsimin e Shqipërisë në BE;
As tregimi me gisht i Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit nga SHBA e BE, si liderët që kanë udhëhequr protestat e dhunshme kundër institucioneve kushtetutese;
As editoriali i Ministrit për Europën i qeverisë “Merkel” në gazetën më të madhe të Gjermanisë, që apelonte se BE nuk duhet të verbohet nga politika e papërgjegjshme e PD e LSI dhe protestat e tyre të dhunshme.
Dhe as qetësia e vendosmëria e PS, për të zbatuar detyrimin kushtetues për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 Qershor, nuk e ndalën lidershipin e opozitës sonë jashtparlamentare, për ti shkuar deri në fund aktit të vetvrasjes politike.
Asnjë faktor ndërkombëtar, nuk e ka inkurajuar deri më sot, aktin e djegies së mandateve parlamentare.
Asnjë partner strategjik ose jo i Shqipërisë, nuk e ka mbështetur opozitën, në rrugën e daljes nga Parlamenti.
Asnjë kancelari perendimore dhe asnjë institucion politik nuk e pranon mosfutjen e një grupimi partish opozitare, në zgjedhje.
Reformën në drejtësi të cilën opozita jonë e quan të dështuar duke e nxjerrë si pretekst për të mos hyrë në zgjedhje, ambasadori BE në Tiranë e vlerësoi si suksesin kyç e përcaktues për marrjen e rekomandimit pozitiv e pa kushte për Shqipërinë.
Me sa duket, jo 24 orë por as 24 javë dhe as 24 muaj të tjerë, nuk do të mjaftonin për opozitën tonë jashtparlamentare që të rikthehej në institucione. Për tu ulur në tryezën e dialogut pa kushte. Për tu futur në garën elektorale. Për aq kohë sa suksesi i kësaj reforme ka detyruar “liderin historik” të opozitës Sali Berisha, që tia caktojë asaj vijën e kuqe: “Ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita”!
24 orët e para ikën. Pas një muaji, të gjithë do të shohim, se cila nga këto dy mundësi do realizohet. Deri atëherë, Edi Rama do udhëheqë fushatën e mazhorancës drejt fitores të zgjedhjeve të 30 Qershorit! Sepse për mazhorancën ka dy mundësi: “Ose Shqipëria do bëhet më në fund europiane, ose do vijojmë që të riciklojmë të njëjtat kriza, si edhe në 30 vitet e shkuara!”