Nga Martin Leka
Kur turma e tërbuar e 14 Shtatorit ’98 shqyente dyert e Radio-Televizionit Shqiptar, lart ishim vetëm unë, Agron Çobani dhe polici i transmetimit. Nuk do ta harroj kurrë fytyrën e atij polici. Të skuqur. Të verdhë. Të bardhë. Të ligështuar. Të zemëruar. Të vrerosur. Të ftohtë më shumë se arma që mbante në gjoks. Na shihte drejt në sy, pa folur. I flisnin gjithë muskujt e fytyrës. Aq sa për ta admiruar atë njeri në qetësinë dhe pamundësinë e vet. Dhe ne ishim udhëheqësit e leshit që na vinte keq për xhamat e thyer(!)
Kur krrak-krraket e dyerve pasuan me zhurmën triumfuese të “luftëtarëve” për pushtimin e ndërtesës dhe ”çlirimtarët” u ngjitën kuturu drejt të gjitha shkallëve e hyrjeve të shumta, polici uli armën në njërën dorë dhe i kërrusur që të mos e shihnin, iku me vrap drejt një vendi të sigurtë, për të siguruar armën…
Sot është 21 janar dhe kjo datë, për më shumë se një dekadë, është kujtuar e përkujtuar e përmendur e dënuar e dhunuar e folur e kakarisur kaq shumë, sa ka sfumuar edhe dy datat më të rëndësishmë në kalendar të muajit të parë të vitit, shpalljen e Republikës dhe përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut?!
Dje dolën për herë të parë përgjimet se vrasjet e 4 protestuesve të pafajshëm, Dëshmorë të Atdheut, janë kryer me urdhër. Për çdo njeri me intelekt mesatar e ndoshta edhe nën këtë nivel, ky lajm nuk përbën lajm. Për çdo njeri normal dhe që njeh në parametra minimalë konceptin e shtetit, kjo nuk është gjë e re. Përgjegjësia është piramidale. “Pronari” i ndërtesës së kryeministrisë ishte aty, siç ka thënë vetë. Bile edhe po punonte. E zëmë se ka qenë kaq i zënë me punë sa nuk e ka patur mendjen fare se ç’bëhej e ç’ndodhtte poshtë zyrës së tij.
Mirë zhurmën e protestuesve, po armët nuk i dëgjoi?!… Nuk i ka dëgjuar as këto! Po komandanti i Gardës që ka dhënë urdhër të hapët zjarr, nga kush e ka marrë urdhërin?! Po kryeministri pse tha që protestuesit kanë vrarë njëri-tjetrin me çadra pistoletë?! Pse nuk i dorëzoi drejtuesit e Gardës kur i’a kërkoi Prokurorja e Përgjithëshme duke etiketuar këtë të fundit me fjalor rruge?
Këto janë që të gjitha pyetje retorike. Të gjithë duhet ti lënë pallavrat. Edhe shteti i sotëm e ish-opozita e djeshme. Edhe ish-shteti i djeshëm e opozita e sotme. Të gjithë e dimë se në të dy kohët, “nuk ndërrohet një bravë dere” pa dijeninë e kryeministrit, jo më të krisë pushka në vatan…
Duke e lënë fajin jetim, në memorien e publikut, varësisht “sasisë”, do të kemi gjithmonë dy fajtorë: edhe Saliun, edhe Ramën. Duhet bërë drejtësi dhe tani! Ndryshe, do vazhdojmë ta bëjmë aq të njohur 21 Janarin, sa do ti harrojmë fare edhe 11-ën, edhe 17-ën. Ndryshe, jo vetëm shqiptarët s’do jenë të qetë, po as vetë të rënët.