Viti që po lëmë pas ishte i suksesshëm për ekipin kombëtar të futbollit, pasi ia doli që në fazën eliminatore të zinte vendin e parë në grupin E dhe të siguronte e para në grup biletën për në finalet e Europianit, Gjermani-2024. Natyrisht që në këtë sukses ndikuan shumë faktorë, një prej tyre ishte edhe ndryshimi i trajnerit dhe mbërritja e brazilianit Silvinjo, i cili gjeti mekanizmat e duhur për të bërë këtë ekip të suksesshëm.
Patjetër që të fitosh dhe të bësh disa arritje, duhet të shënohen edhe gola, çka në këtë fushatë, kuqezinjtë shënuan 11 gola. Diçka tjetër që u vu re në këtë ekip, ishte se loja ndryshoi dhe u shndërrua në më sulmuese, çka u pasqyrua çdo herë kur trajneri publikonte listën e radhës në grumbullime, ku prania e lojtarëve sulmues u shtua.
Kualifikimi në Europian u shoqërua dhe me një entuziazëm të paparë të tifozerisë që mbushën stadiumin “Air Albania” në të gjitha rastet, duke i sjellë federatës të ardhura të majme. Nga ana tjetër, pati pak incidente dhe natyrisht edhe pak folklorizëm, por që ishte shenjë pozitive.
Mundja dhe atletika kanë siguruar normën olimpike
Federata Shqiptare e Mundjes ishte ndër federatat më të suksesshme gjatë vitit 2023. Ajo organizoi disa aktivitete ndërkombëtare duke marrë vlerësime të shumta. Jo vetëm kaq, por kjo federatë u tregua në lartësinë e duhur në menaxhimin e situatave të vështira dhe për këtë mori përgëzime si brenda vendit dhe nga federata europiane dhe ajo botërore.
Madje, mundja ishte sporti i parë i kualifikuar në Olimpiadë, pasi me rezultatin fantastik të Zelimkhan Abakarovit si vend i tretë në botë dhe si kampion Europe, kapi automatikisht normën olimpike. Federata tjetër që mund të quhet e suksesshme është atletika, e cila, falë një talenteve si Luiza Gega e siguroi pjesëmarrjen në Olimpiadë. Gega theu rekorde të shumta këtë vit, dhe ishte nga të parat në Europë që kapi normën olimpike në 3 mijë metra me pengesa. Madje këtë vit ajo zuri vendin e pestë në botë në garën e saj, duke enë njëherësh numri një në Europë në disiplinën e vet.
Shtanga has vështirësi
Një nga sportet që na ka përfaqësuar denjësisht në aktivitetet ndërkombëtare është peshëngritja. Por këtë vit, për shkak se sportistët nuk patën rritje absolute të rezultateve dhe për shkak të peshës ku garonin, ende nuk e kanë siguruar normën olimpike. Në fakt, sytë janë tek Erkand Qerimaj dhe Briken Calja. Të dy po luftojnë të fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes por rivaliteti është shumë i madh.
Sportistët tanë kanë garuar në aktivitetet e fundit në peshën 81 kg që është hequr si peshë olimpike. Rezultati i tyre konvertohet në pikë, por me pikë janë ende larg. Gjithsesi, ka edhe dy gara të tjera gjatë vitit 2024 që kanë vlerë kualifikuese, Europiani si dhe një turne botëror. Si Calja dhe Qerimaj do të garojnë me të gjitha fuqitë e tyre. A do t’ia dalin?
Kjo mbetet për tu parë nga forma dhe rezultatet që do të marrin. Vështirësia e kualifikimit është se federata botërore përgjysmoi peshat pjesëmarrëse dhe kjo rriti konkurrencën. Sporte të tjera që patën paraqitje të mirë gjatë vitit 2023 ishte gjimnastika, karateja me një kampion Europe, shahu, basketbolli etj, por pati edhe ndonjë rënie si në volejboll etj.