Zhvillimet politike të katër muajve të fundit ravijëzuan qartazi se 2021 ishte viti i PD-së edhe pse ne Prill u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, edhe pse Rama mori një mandat të tretë historik dhe në të njëjtën kohë humbi edhe PD-ja.
Qysh prej 9 shtatorit kur Lulzim Basha në mënyrë të beftë shpërndau një video se do të pezullonte Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së për shkak të shpalljes ‘non-grata’, në Partinë Demokratike, por edhe në jetën politike në vend janë trazuar shumë ujëra.
Qysh prej themelimit të saj këtu e 31 vjet më parë, Sali Berisha ka fituar tre palë zgjedhje si kryetar pa rivalë, në 11 të tjera kryetari i PD-së është zgjedhur nga 80-90% të votave me kandidatura përballë.
Bëhet sërish fjalë për shifra, por për herë të parë secili me të “vetat” . Basha nuk njeh shkarkimin nga Berisha. Ky i fundit nuk e njeh më për kryetar ish-bashkëpunëtorin e tij dhe njeriun që e promovoi më shumë qysh prej vitit 2004 Pasoja? Përplasja e atyre që mbështesin sot Bashën me mbështetësit e Berishës në vendin ku duan të qëndrojnë të gjithë, selia e PD-së.
Në katër muaj zhvillime politike Lulzim Basha ndryshoi jo pak qëndrime në raport me Berishën.
Në muajin shtator Sali Berisha për Lulzim Bashën “ishte udhëheqësi shqiptar e kontributin më të çmuar ne forcimin e demokracisë, dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar” .
Po në këtë muaj rrugëtimi i Sali Berishës në politikë, “nuk ndahej nga rrugëtimi i Partisë Demokratike”.
Por katër muaj më vonë, pas një ofensive të Sali Berishës mbi shumëcka lidhur me marrëdhëniet e tij me Lulzim Bashën, qëndrimet kanë ndryshuar e po ashtu edhe lëvizjet.
Basha e përfshiu Berishën tek pjesa e të keqes apo trekëndëshi i Bermudës, i kujtoi Berishës llumin dhe korrupsionin gjatë qeverisjes së këtij të fundit, anatemoi çdokënd afër tij e deri e cilësoi lëvizjen pro Berishës si lëvizje antiamerikane.
Në anën tjetër Berisha i shtoi do epitete të reja Bashës si “peng-Basha” e deri tek “Lul brava”
Gjatë fushatës katër mujore në bazë, Berisha pranoi se ai kishte gabimet e tij në raport me humbjet e Bashës ndër vite.
“…Unë ia kërkova dorëheqjen pas 2017-ës por nuk nisa procesin e duhur që ai të merrte gjithë përgjegjësinë për atë humbje”, është shprehur ai.
Berisha ka nënvizuar se kish vendosur të largohej nga drejtimi i partisë pa kthim, porse nuk mund të kthehej pa një projekt.
Berisha e ka akuzuar Bashën për dy dosje gjatë kohës në opozitë si ajo “Muzin” dhe “Toyota Yaris”.
Në këndvështrimin e tij, Basha është njeri i mbajtur peng ndaj dhe “nuk mund të jetë kurrë vetja e tij”.
Ndërsa Basha e ka akuzuar Berishën se për veten e tij dhe hallin e tij personal, ai po sakrifikon edhe PD-në.
E gjithë kjo batare fjalësh përfundoi me një Kuvend me 11 dhjetor shoqëruar më pas nga një referendum rreth 40 mijë votash për shkarkimin e Bashës.
Në anën tjetër një Kuvend, ai i thirrur nga Basha me 18 dhjetor me do ndryshime në statut, shkarkimin e Berishës nga çdo pozicion drejtues ne parti, la sërish pezull se çdo të bëhet me të në grupin parlamentar dhe informoi se do të ngrinte një strukture të re ‘aleanca për qytetarin’.
Beteja e fundit mes tyre merr drejtim në fillim të muajit janar ku Berisha i ka vënë ultimatum të lirojë zyrat deri më 5 janar si kryetar i shkarkuar.
Nuk ka ende një zgjidhje ligjore dhe as politike mes tyre. Debati ka mbetur pezull edhe në gjykate ku asnjë prej gjykatëse nuk do të shqyrtoje “dosjen” e PD-së së re të Berishës dhe as politike sa kohë që pas datës 5 janar të gjithë sytë do të jenë nga PD…(SI)