Kur në vitin 1991 turma rrëzonte monumentin e Enver Hoxhës në Tiranë, Shqipëria kishte më shumë se një vit vonesë nga rënia e Murit të Berlinit dhe ngjarja nuk shkaktoi asnjë sensacion në Evropë. Ishim vend i vogël i vetë futur në ibernizimin e izolimit dhe si i tillë, nuk përbënte asnjë çudi.
Megjithatë partia që kishte lindur nga putrifikimi i sistemit, Partia Demokratike, kishte në përbërje të saj figura të spikatura në fushat e tyre dhe si e tillë, të paktën në dukje, konkurronte denjësisht me kundërshtarët e saj ish komunistë, që trashëgonin pjesën dërrmuese të bagazhit intelektual të sistemit.
Kjo vetëm në fillim. Me kalimin e viteve, Sali Berisha spastroi, përjashtoi, dhunoi, të gjithë themeluesit dhe ndjekësit e spikatur te saj, për të ardhur në vitin 2021 kur edhe atë vetë e përjashtuan. Por PD e vitit 2021 nuk ishte gjë tjetër vetëm se një hije e asaj që kishte qenë dikur.
Për t’ju kundërvënë goditjes, Berisha formoi Rithemelimin, por tashmë krijesës i mungonte fryma. Artistët, ekonomistët, mjekët, shkrimtaret, poetët, inxhinierët, historianët që e kishin themeluar dikur nuk ishin më, dhe ata që i zëvendësuan janë figura karikaturale dhe groteske.
Mjaft të krahasosh që RD-ja e dikurshme ku shkruanin penat më të mira shqiptare është zëvendësuar nga një portal që i vjen era çorape të palara, për të kuptuar se si ka degraduar opozita shqiptare.
Dhe derisa magjja ka këtë miell, dihet se çfarë buke do të dalë:
20 shkurti i vitit 2024 nuk ka për të qenë gjë tjetër veçse karikaturë e atij të vitit 1991. Azem Hajdari është zëvendësuar nga Gaz Bardhi, sikurse Sali Berisha që dikur ulërinte para turmave që mbushnin sheshin, nuk është veçse një karikaturë e vetvetes, me fjalor të vjetruar dhe i rrethuar nga pleq apo mesoburra që as nuk dinë ku të venë e as nuk dinë çfarë të bëjnë veçse të mblidhen në një rrugicë me shpresë se do gjendet një vend edhe për ta në Kuvendin e ardhshëm në listën e Foltores.
Historia shfaqet dy herë: Një herë si tragjedi dhe një herë si komedi. Këtë radhë 20 shkurti ka radhën e komedisë./Nga Dritan Hila (Dritare.net)