Ajo që nuk dinim, ishte se ky rrëzim i bustit, nuk ishte fundi i një rregjimi, por vetëm ndërrimi i maskës së tij. Rregjim që vazhdon edhe sot e kësaj dite, por me fytyrë ”demokratike“.
Nga Sokol Terihati
20 shkurti i 27 viteve më parë më gjeti me punë gazetar në RTSH.
Ato ditë të ftohta shkurti, ishin edhe më të ftohta, për shkak të varfërisë ekstreme që ishte ulur prej vitesh këmbëkryq, jo vetëm në periferi të vendit, por tashmë edhe në mes të Tiranës…ndaj ndodhi edhe 20 shkurti.
Gjithshka kishte prekur fundin.
Njerëzit nuk ishin të pakënaqur, por të egërsuar.
Isha në qytetin Studenti, për të bërë lajmin, siç po bënim prej disa ditësh, kur Monda Bulku, bën thirrjen, e cila mbeti në memorien e atyre ditëve historike që ndodhin një herë në 100 vjet.
Po ndodhte diçka e jashtëzakonshme dhe të gjithë në që ishim aty po ndërgjegjësoheshim për këtë.
“Të gjithë tek sheshi ” – thirri Monda Bulku.
Një det i rrezikshëm njerëzish, filloi në mënyrë instiktive të zbresë drejt sheshit në qendër të Tiranës…
Duhej ngritur një digë për t’a ndalur .
Ajo u ngrit pikërisht poshtë zyres time në Radio Tirana, me nja tre rreshta policësh të rraskapitur.
Turma po vinte..Ishte vërtetë e frikshme.
Policët të frikësuar mund të bënin hatanë, qoftë edhe për vetëmbrojtje.
Ne gazetarët dolëm në rrugë dhe tashmë ishim mes dy palëve, të dyja të vendosura për t’u përplasur…
“Policët vëllezërit tanë”
Kjo thirrje fatlume, që akoma nuk e kam të qartë nga erdhi, megjithëse ishte shum afër meje, evitoi ndoshta një kasaphanë.
Në ato momente mund të ishin vrarë me qindra njerëz, përkundrazi, ata po përqafoheshin me policët.
Nuk do t’i harroj kurrë ato pamje të dashurisë njerëzore, në vend të kufomave pa kuptim, për një rregjim kufome, të fiksuara në celuloid dhe të transmetuara me qindra herë tashmë.
Aty e kuptuam të gjithë se turma nuk mund të ndalej më.
Në 14 08 , ndodhi ajo që tashmë e dimë të gjithë. Rrezimi i bustit hijerëndë të Enver Hoxhës..
Ajo që nuk dinim, ishte se ky rrëzim i bustit, nuk ishte fundi i një rregjimi, por vetëm ndërrimi i maskës së tij.
Rregjim që vazhdon edhe sot e kësaj dite, por me fytyrë ”demokratike“.
Nejse, kjo është tragjikomedia me e madhe .
Meqë e kisha fiksim profesional t’a jepja i pari lajmin, e transmetova rrëzimin e bustit me telefon, nga dezhurni i Akademisë së Shkencave.
Pas disa minutash të transmetimit tim, mora vesh se ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës edhe në Korçë../Bluesbrothers