Si sot, 30 vjet më parë, disa mijëra shqiptarë hynë në mjediset e ambasadave perëndimore në Tiranë dhe kërkuan strehim politik për t’u larguar nga Shqipëria.
Hapja e ambasadve perëndimore atë korrik për shqiptarët e varfër dhe të shtypur nga regjimi stalinist i Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij pas vdekjes ishte shenja e parë se pas pak muajsh po vinte lëvizja antikomuniste e studentëve.
Bashkë me revoltën e tyre erdhi edhe pluralizmi politik. Ndërsa sfida për ta bërë Shqipërinë një vend demokratik mbetet e njëjta.
Për afro gjysmë shekulli, diktatura komuniste e shndërroi Shqipërinë në vendin më të varfër dhe më të izoluar të kontinentit.
Hapja e ambasadave ishte për shqiptarët shenja e parë e lëvizjes antikomuniste të po atij viti.
“Brenda ambasadës gjermane ishte një mrekulli, dhe na bënë një pritje të jashtëzakonshme. Diplomatët ishin heronjtë e vërtetë për Shqipërinë dhe për demokracinë tonë. Ata ndihmuan 3 mijë e 200 vetë me ushqime të pakta dhe pa ujë, edhe me pengesat që vinin nga jashtë, si bllokimi i qëllimshëm i tualeteve, dhe vështirësi të tjera nga rrethimi. Ishte një staf aq i vogël dhe menaxhuan gjithçka për mrekulli.
Pas 10 ditësh afro 5 mijë 200 shtetas shqiptarë, që hynë në ambasadat e vendeve perëndimore u lejuan nga qeveria komuniste të dilnin nga vendi dhe të shkonin në ato shtete. Studiuesi i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, dr.Ledion Krisafi thotë se 2 korriku 1990 është një nga datat më të rëndësishme të Shqipërisë, e cila ndryshoi dukshëm historinë e shtetit shqiptar në 3 dekadat e fundit.
“Ai ishte çasti kur diktatura komuniste gjysmë shekullore praktikisht mori fund. Ky ishte çasti kur diktatura humbi legjitimitetin e saj, sepse populli po e linte anijen, që ishte duke u mbytur. Kjo ishte goditja përfundimtare që mori ai regjim”.
Studiuesi Krisafi thotë se sot 30 vjet pas asaj përpjekje të shqiptarëve për të hyrë nëpër ambasada dhe për të ikur nga ai regjim shtypës e mizor, është ironik fakti se shqiptarët përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë; të kërkojnë çdo lloj mënyre për të ikur nga Shqipëria.
“Ky është dështim i forcave politike në 30 vitet e fundit, ndaj duhet studiuar se cilat janë gabimet që shqiptarët janë sot në të njëjtat kushte. Shqiptarët po përpiqen të bëjnë pikërisht atë që bënë 30 vjet më parë, ndaj klasa politike që ka drejtuar Shqipërinë në 3 dekada ka dështuar të krijuar institucione më të mira, ekonomi më të mirë, mjedis më të mirë dhe kushte më të mira jetese, që shqiptarët të mos bëjnë më si në vitin 1990”
“Shohim sot nga vendet e Europës ish-komuniste; Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria etj. janë pjesë e BE-së dhe kanë nivelin e jetesës pothuajse baraz me atë të Bashkimit Europian. Ndërsa këtu tek ne, pas 30 vjetësh nga 2 korriku 1990, Shqipëria ka arritur vetëm sa 30 për qind e të ardhurave të Bashkimit Europian, sipas të dhënave zyrtare. Shqipëria është ende vendi më i varfër në Europë” – tha dr. Krisafi.