Armand Plaka
Ndërsa Shqipëria e dalë nga “Lufta e Madhe”, vërtitej akoma mes kaosit e përpjekjeve reale për shtetformim, një korrespondencë e shkurtër e sjellë nga korrespondeti i Vlorës i një reviste shumë aktive në vitet e Pasluftës së Parë Botërore në Shqipëri (botuar më konkretisht, në Shkodër), thuajse njëqind vjet më parë, na sjell më pranë momentin e bashkimit përfundimtar të krahinës së Himarës me shtetin shqiptar, e cila tashmë kishte hequr dorë nga pretendimet e saj për autonomi.
Nga fryma e korrespondencës së përcjellë me këtë rast, e cila qysh në fillim të saj pohon si rrallëherë se: Fati asht tue e marrë mbrapa gjithkund atdhën t’ onë!, duket qartë se është njëri ndër momentet më kuptimplotë në historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve, kur ata vendosin t’a marrin në duar realisht vetë fatin e tyre e të ushtrojnë të drejtat e kompetencat shtetërore që u jepte (edhe pse në variantin e vet më të keq) Konferenca e Londrës, Konferenca e Paqes në Paris dhe bashkësia ndërkombëtare, për të mbajtur më këmbë shtetin e tyre të ngritur me shumë gjak e sakrifica dhe karakterin unitarist të shtetit.
Falë disa zhvillimeve shumë të shpejta e pozitive për shqiptarët, (që nisin me themelimin e Lidhjes së Kombeve më 28 prill 1919, e ku rol të veçantë kishte dhe kontributi i Presidentit amerikan, Woodrow Wilson dhe 14 pikat e tij të famshme, që përbënin edhe thelbin e ngrehinës së re të kombeve të lira) Shqipëria tashmë ishte bërë me një votë unanime, qysh më 17 dhjetor 1920, anëtarja e 43-të e LK, mbi të cilën ishin varur shpresat e mbarë njerëzimit për paqe e përparim.
Duket se ky sukses i kishte ndërgjegjësuar e u kishte dhënë krahë edhe më shumë përpjekjeve shtetformuese të shqiptarëve.
Në nëntor të vitit 1921, vetëm pak muaj pas kësaj korrespondence, Lidhja e Kombeve vendosi që kufijtë e Shqipërisë duhet të ishin të njëjta me ato që kishin qenë në vitin 1913, me tre “korrektime të vogla” që favorizonin Jugosllavinë, por jo edhe më tej, Greqinë.
Por përtej kufinjve, sfidë madhore për shqiptarët dukej se mbetej pikërisht mbajtja më këmbë e sovranitetit dhe ushtrimi i të drejtave shtetërore e qeverisëse të shtrira në të gjithë territorin, duke u dhënë fund përpjekjeve parcelizuese, lokaliste, rajonaliste e autonomiste nga të gjitha anët që ato mund të vinin.
Sidoqoftë, Shqipëria, me anë të një deklarate nënshkruar nga Fan Noli përfaqësues i saj në LK, më 2 tetor 1921, zotohej përballë pararendëses së OKB-së, për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri, duke e kanalizuar kësisoj çështjen e minoritetit më të madh etnik në Shqipëri, brenda suazave të një trajtimi nga më modernët për kohën dhe i dhënë fund përpjekjeve që e lidhin atë me autonominë e një krahine apo rajoni të veçantë.
Më tej, në këtë korrespondencë, renditen gjithashtu edhe arsyet që i kishin shtyrë himarjotët ( të cilët, sipas raportuesit përfshinin në vetvete në atë kohë 7 katunde) drejt këtyre kërkesave, si dhe na jepet edhe një panoramë e shkurtër historike e Himarës.
Më poshtë, korrespondenca e plotë e revistës Agimi, në qershor 1921 ( fq. 33-34), sjellë në formën e saj origjinale në dialektin gegë.
Himara. – Fati asht tue e marrë mbrapa gjithkund atdhën t’ onë. Ndër sā pika me shum randsi, të cillat nxânë faqet ma të shkelqyeshmet të historis s’ onë komtare, âsht pa dyshim edhe bashkimi i Himarës me qeverin qandrore qi ndodhi ndër këto ditët e fundit.
Himara, këjo krahinë shqyptare, qi gjindet mbrënda kufinit të Konferencës së Londonit të vjetit 1913, për mos me thane se donte të bashkohej me Greqi, kërkonte nji autonomi në vedi tue u mbështetë në disa privilege qeveritare qi kishte trashigue prej kohës turkoshake.
Këjo sjellje e Himarjotvet bâni nji përshtypje të keqe ndër rrethe atdhetare të Vlonës e tue qenë se qeverija qandrore ishte kapërthye me çashtje tjera shtatore me rândsi, Vlonakët mueren nisjativën për bashkimin e tyne me Shqypni.
Ai atdherarizëm, qi i dau përherë në shêj vllazërit t’ onë të Vlonës, i shtyni t’u apin Himarjotvet nji ultimatum, mbrënda të cillit do të pranojshin bashkimin me të mirë ase me të keq.
Himarjotët dhan e mueren me Vlonë nëpërmjet të delegatvet e ndërsa ishin tue u ba marrveshtjet ushtrija e jonë bashkë me nji tufë vullndetarësh u nis për Himarë, ku hini pa gjetë asnji kundërshtim me 2-VI-21 e marrveshtja ndërmjet dý ânvet u bâ tue u nenshkrue nji protokoll, i cilli ndër disa pika nuk asht fort i pëlqyeshëm, por qi shpresojmë qi Parlamenti do të revidojë.
Për me muejtë me kuptue se të cillat ishin ato privilege qi paraqitshin Himarjotët për mos-bashkimin me Shqypnin e për kërkimin e autonomis, po na duket e nevojshme me u paraqitë lexuesavet t’ «Agimi-t » disa pikla historike mbi Himarën e banorët e saj.
Himara qysh prej kohve të lashta kje nji qytet ndër malet e Akroceraunjes e sot asht nii kryekatund prej të cillit marrin êmnin të gjitha katundet për rreth.
Në Sarandë (Angjismo) ishte nji seli ipeshkvnore, e cilla kishte nen jurisdikcjon të vetin edhe Delvinën me gjith rrethet, por në vjetë 1830 u bashkuen të gjitha nen Ipeshkëvnin e Gjinokastrës (Drinopoja.)
Ky vend arbnuer përmblidhte 33 katunde, nga të cillat vetëm 7 u mbajten të krishtenë kahë prëndimi i rrëpinave t’ Akroceraunjes.
Ndërmjet të Palasës e Dukatit ndodheshin edhe 10 katunde tjera, të cillat u shkretuen e sot vendet e tyne i përdorin Dukatasit për kullosë.
Shtat katundet qi gjinden sot në Himarë e qi kërkuen autonomin janë këto: Himara, Dhrimija, Palasa, Vunoi, Piluri, Kullsi edhe Qiparoji. Banorët e Himarës e të krahinës kjên trima edhe kurdoherë ishin si gjymsë të qeverisun në kohë të Turkokratis tue pasë privilege të shënueme e tue i përmbajtun me ç’ do therori.
Ndërmjet privilegeve qi paten, kishin të drejtë të bajshin të vetat ç’do prone e të mêrrshin ç’ do gjâ t’ anijevet qi u mbytshin në breg të tyne. Këto kjên pra, arsyet qi paraqitshin Himarjotët për autonomi.
Vlonë, 10-VI-21. Korespondenti i Vlonës./njekomb.com/