Një 22-vjeçar në Divjakë, paska plagosur 14-vjeçaren që donte, sepse ajo do të fejohej me një tjetër. Vendndodhja e detajuar e historisë do të ishte në një fshat të Divjakës, por nuk dua ta detajoj. Dhe nga “zori” filloj imagjinoj.
Ajo nuk do të dilte me shoqet nëpër dyqane për të provuar disa fustane nusërie, të postonte fotografi në rrjetet sociale dhe më pas të zgjidhte atë që s’e kishte “reklamuar” askund. Ndoshta nuk do të bënte dasmë fare. Me të kënduar gjeli do të ngrihej, do vishej pak më mirë se ditët e tjera dhe përkrah burrit do nisej për në shtëpinë e saj. E saj, sepse ajo e prindërve kishte qenë e huaja. Nuk do kalonin nga gjendja civile për të bërë celebrimin, se duhet të rritej, të bëhej “maxhorene”, se për dëshmitarë me siguri nuk do vuante.
Me vete do të merrte të gjitha urimet dashmirëse të fshatit e fisit për fatin e mirë. Në sy do t’i lexohej shikimi dashamirës e i qetë i prindërve: E rehatuam. Martesa është një nga format më të shpeshta të dashurisë prindërore ndaj fëmijëve. Shumë prindër kanë ikur nga kjo botë me dëshirën e mbetur pezull: Ah sikur ta kisha parë tim bir/bijë të martuar.
“14 vjeçe nuse”, një përrallë nga e tashmja në fshate e qytete (shumë shpesh zgjatim fizik apo kulturor i fshatit). Nëse nuk do plagosej, si shumë “shoqe” të sajat nëpër Shqipëri do të shkonte te burri 14, 15 apo 16 vjeçe dhe unë nuk do i shkruaja këto radhë. Ju nuk do i lexonit, policia nuk do njoftonte lëndimin me inicialet e saj dhe fshati nuk do të ndihej i tronditur.
Vajzat shqiptare mbyllen në dhomë dhe qajnë, kur djemtë nuk i duan, kurse djemtë, ata më të “dashuruarit” i bëjnë me zor t’i duan. I kërcënojnë, përndjekin apo plagosin.Prindërit, edhe pse e bëjnë nga dashuria i plagosin vajzat duke i fejuar 14-vjeçe. Pastaj, djemtë i vrasin duke i plagosur me plumba prej vërteti, po nga dashuria. A mos ka ardhur koha që shqiptarët të duan më pak? Të mos duan më në formën pronësore? Ta duan fëmijën apo të dashurin duke dashur për të atë që ai do për veten?