Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot pyetjeve që deputetja e PD-së Oriola Pampuri i drejtori ditën e djeshme, pasi e akuzoi atë se harxhon 120 mijë euro nga paratë e shqiptarëve për të udhëtuar me “charter privat” për qejfet e veta.
Rama publikon një video me pyetje përgjigjet, të cilën e shoqëron me tekstin: “Ndiqeni një minutë ju lutem, se si pasi 5004 delegatë u ulën në 1958 karrige, 345 euro prodhuan 120 mijë euro karburant…”.
Ndërsa i përgjigjej njërës prej pyetjeve, Rama tha se ai harxhon më pak se sa kanë harxhuar paraardhësit e tij në detyrë.
“Mesatarja vjetore për zhpenzimet e mia zyrtare të cilat paguhen nga fondi i Kryeministrisë është më e ulët se sa mesatarja vjetore e shpenzimeve të paraardhësve të mi. Pse?
Për një arsye të thjeshtë. Ata udhëtonin në bussiness Class ndërsa unë kam udhëtuar thuajse tërësisht me ekonomik, me përjashtim të rasteve të veçanta”- deklaroi Rama.
Akuza e PD-së: Rama ka udhëtuar me charter privat, jo për të zgjidhur ndonjë hall të shqiptarëve por për qejfet e veta. Edi Rama harxhon paratë e taksave të shqiptarëve.
Rama: Në fakt jo, unë jam i pari kryeministër në këtë vend që udhëtimet e mia shumë të rralla private me familjen, nuk i bëj kurrë me shpenzimet e shtetit.
Pyetja e PD-së: A përdore charterin privat për të dhënë intervistë për ”Manager Magazine”?
Rama: Jo, kam përdorur me biletë vajtje-ardhje, ulëset ekonomike të Lufthansës, së bashku me gruan dhe djalin e vogël.
Pyetja e PD-së: Sa para ke shpenzuar vetëm për charterin në këtë udhëtim luksi?
Rama: Bileta ekonomike e Lufthanses ka kushtuar 345 Euro.
Pyetja e PD-së: Kush ka firmosur për udhëtimet e tij? Kush i ka paguar ato?
Rama: Mesatarja vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare, të cilat paguhen nga fondi i Kryeministrisë, është më e ulët se sa mesatarja vjetore e shpenzimeve të paraardhësve të mi, për arsyen e thjeshtë se ata udhëtonin në business class ndërsa unë kam udhëtuar thuajse tërësisht në ekonomik, me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë – e njëjta gjë edhe për ministrat. Ndërkohë qysh prej vitit 2020, kur kishim presidencën e OSBE, u bë një marrëveshje me kompaninë Air Albania dhe shpenzimi për vitin 2021 ishte nën mesataren e viteve të mëparshme.
Pyetja e PD-së: Vetëm për karburantin e një udhëtimi qejfi të Edi Ramës, harxhohen 120 mijë euro nga paratë e shqiptarëve.
Rama: Sasia më e lartë vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare ka qenë 4.623.089 lekë në vitin 2014. Ndërsa shifra 120 mijë euro karburant për fluturim privat, është produkt i të njëjtës aritmetike fantastiko-shkencore, që nga 1958 ulëset e Pallatit të Kongreseve nxorri 5004 delegatë. Po t’i shumëzosh këta delegatë me 30 dhe pastaj të zbresësh 30, dalin fiks 120 mijë euro karburant për 7×7 brava, baraz 42 fluturime.