Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, i ka cilësuar si absurde dhe false, akuzat ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit. Në studion e Report Tv, përballë gazetarit Denis Minga, Klosi tha se mbi Tahirin mund të rëndojnë akuza nga më të ndryshmet, madje edhe ajo që gjatë drejtimit të tij në Ministrinë e Brendshme u kanabizua Shqipëria, por kurrsesi “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Në “45 minuta”, ish-kreu i SHISH tha se akuzat ndaj tij janë komplet false, që mund të krijonin një precedent shumë të rrezikshëm.
“Është gjetur një kokë turku, ka probleme të veta, por jo për ato që akuzohet. Ka qenë ministër i Brendshëm. Në periudhën që ka qenë ai, Shqipëria u kanabizua. Policia ka bërë hapa nën drejtimin e tij, por fakti që u kanabizua Shqipëri, është përgjegjësi e tij e madhe. Sa i takon akuzës pjesëmarrje në grupet kriminale, më duket absurde që në pak telefonata të përgjuara, nga disa horra që mburren me emrin e tij të kërkohet 12 vite burg, pastaj me gjykim të shkurtuar 8 vite. Është një precedent i rrezikshëm. Akuzat ndaj tij është false komplet”, tha Klosi.