(1 Qershor 1936 – 15 Qershor 2010). Nderim dhe respekt per figuren e tij. Bekim Fehmiu ishte një aktor Shqiptar nga Kosova. Lindi në Sarajevë, Bosnja dhe Hercegovina më 1 qershor 1936 dhe vdiq më 15 qershor 2010 në Beograd, Serbi.
Rrjedh nga një familje e njohur gjakovare. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe propagandues i madh i arsimit në gjuhën shqipe.
Rolet e tij në “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, përmenden si kryevepra. Nga filmat e para ka qenë “Ko puca otvorice mu se”, “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Eskadrionet e partizanëve” dhe “Të kuq dhe të zinjë”.
Ai ka bashkëpunuar me John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Ka interpretuar në shqip, sërbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht.
Bekim Fehmiu është një nga artistët më të mëdhenj shqiptarë. Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.
Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore.
Pak kohė më parë në Jugosllavi është botuar libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe frikë”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithëçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës.