Nga Ylli Manjani
Meqë rifillon debati duhet zgjatur apo jo mandati i prokurorëve të SPAK, ftesa ime për cilindo pjesmarrës në këtë debat është të mendojë në këto terma:
1. Kufizohet mundësia e arrestit, vetëm në kushte ekstreme të sigurisë publike dhe/ose kur masat e tjera nuk kanë dhënë efekt për personin;
2. Nuk lejohet përdorimi si prova i mjeteve për kërkimin e provës. Pra përgjimet e kontrollet edhe kur nuk janë abuzive, nuk janë prova por mjete për të shkuara tek prova;
3. Nuk lejohet fillim proçedimit penal mbi anonimat dhe/ose kallëzues popullorë e politikë. Të paktën jo pa verifikimet e vërtetësisë në fakteve të denoncuara dhe motivet e denoncuesit;
4. Kontrollet e banesave dhe përgjimet të lejohen vetëm në nevojë ekstreme dhe vetëm të arsyetuara mbi nevoja të një hetimi konkret dhe, jo kot për qejf apo për kompetencë;
5. Kodi Penal vendos dënime proporcionale dhe në harmoni me perëndimin. Se nuk ka kuptim që në vendin ku shitet droga dënohesh pak ose me gjobë, ndërsa në vendin nga është shitësi i saj dënohesh me shumë burg.
6. Ligji antimafia ndalon të prezumuari një masë të madhe shqiptarësh si mafiozë. Procesi i marrjes së pasurisë të lidhet vetëm me veprën penale nga ka ardhur ajo pasuri e jo me thashetheme e indicie;
7. Gjykatat çlirohen nga çfarëdo lloj ndikimi nga SPAK, deri sa të shkojmë drejt mbylljes së gjykatave të posaçme për të shkuar drejt gjykatave të zakonshme;
8. Kompetenca lëndore e SPAK kufizohet, sipas modelit të antimafias Italiane;
Ja kaq të bëhet dhe, le të rrinë sa të duan në detyrë prokurorët aktualë. Le ti dojë edhe amerika biles, pa problem fare.
Ju siguroj se ndërmarrja e këtyre hapave do ta ç’tensiononte debatin idiot publik dhe, do ti hapej rrugë një normaliteti të domosdoshëm shtetëror.
Jam i bindur se nëse bëhen këto gjëra, mediat që rrinë aty te dera e SPAK, do largohen dhe drejtësia do hyjë në normalitet.
Se nuk bëhet drejtësia në media, por në sallën e gjykatësit mbi palët dhe, ku palët janë të barabarta përpara tij/saj.
Tani kush ka më rëndësi, mandati i prokurorëve apo sistemi ku ata punojnë?!
Ja kjo është çështja!
Ose të paktën kështu e shoh unë.