53-vjeçari nga Kameruni, Josoue Ngankam, në valixhen e së cilit policia gjeti 1 milion e 75 mijë euro të falsifikuara në aeroportin e Rinasit, nuk ka treguar emra të bashkëpunëtorëve të tij.
Ngankam, para hetuesve, deklaroi se nuk ishte në dijeni të parave në valixhe, pasi sipas tij, atë ia kishte dhënë një mik i tij shqiptar në Paris për ta sjellë në Tiranë.
“Nuk kam qenë në dijeni të parave të falsifikuara që u gjetën në valixhe. Ajo valixhe nuk është e imja, unë jam vetëm transportuesi i saj. Një miku im shqiptar ma dha në Paris, që unë ta sillja në Tiranë dhe nuk e dija çfarë kishte brenda saj.
Ai më tha ta sillja në Shqipëri dhe pastaj do e takoja dhe do e merrte po vetë ai. Emrin e saktë të tij nuk e di, pasi unë i thërras përmes një nofke, siç e thërrasin edhe njerëzit përmes të cilëve e kam njohur”, deklaroi 53-vjeçari kamerunas.
Deri tani Krimi Ekonomik në Policinë e Tiranës nuk ka identifikuar persona të tjerë të përfshirë në skemën e sjelljes së parave. Kamerunasi Josoue Ngankam nuk vinte për herë të parë në vendin tonë.
Dyshohet se këto para të falsifikuara do të shpërndaheshin në tregun ekonomik vendas.Bashkë me eurot e falsifikuara të fshehura në bagazhet e 53-vjeçarit u gjetën edhe lastra, letra që përdoren për të prodhuar kartëmonedha të prerjeve të ndryshme.
Ngankam kishte ardhur nga Parisi në Stamboll dhe më pas në drejtim të Rinasit në Shqipëri. Krimi Ekonomik ishte në dijeni të sasisë së parave false që ai po sillte në vendin tonë.